Lidhje direkteGaleriaHarta e faqes |   ShqipSrpskiEnglish
BallinaPËR KPM-nëLEGJISLACIONILICENCIMIDIGJITALIZIMIANKESAT/QDPDokumentetKontaktiPUBLIKIMET

KUMTESË E KOMISIONIT TË PAVARUR PËR MEDIA

15.11.2006 -

Zgjedhja e paradokohshme e Shefit Ekzekutiv të Zyrës së Komisionit të Pavarur për Media / KPM është përcjellur me reagime pakënaqësie në dy media.

Fillimisht gazeta “Express” me 26 tetor 2006 në faqet 12 e 13 ka botuar artikullin “Nailja e panjohur”. Në këtë shkrim “Express” kritikon vendimin e Këshillit të KPM-së për të zgjedhur Naile Selimaj-Krasniqi Shefe Ekzekutive të Zyrës së KPM-së. Sipas “Express”-it kandidatja e zgjedhur nuk i ka plotësuar kushtet e konkursit, përkatësisht se tërë procedura e përzgjedhjes ka qenë jotransparente dhe e mangët. Me këtë rast “Express” shtron shumë pyetje dhe dyshime mbi punën e KPM-së. Javën që shkoi edhe RTK përsëriti disa nga kritikat e “Express”-it lidhur me zgjedhjen e Shefes Ekzekutive të Zyrës së KPM-së.

Këshilli i KPM-së e sheh të nevojshme që lidhur me këtë të tërheq vëmendjen e publikut për disa të dhëna tashmë të njohura dhe të bëjë sqarimet e mëposhtme:
1. Më 29 gusht 2006 është shpallur konkursi për Shef Ekzekutiv të Zyrës së KPM-së. Deri në mbyllje të konkursit më 13 shtator 2006 janë paraqitur 12 kandidatë. Për të përmbushur obligimin ligjor që ka të bëjë me balancin gjinor dhe etnik të numrit të kandidatëve të paraqitur (Urdhëresa Administrative Nr.2003/2, për zbatimin e Rregullores së UNMIK-ut Nr.2001/36 mbi Shërbimin Civil të Kosovës), konkursi është përsëritur. Në afatin e dytë të konkursit (20 shtator - 5 tetor 2006) janë paraqitur 10 kandidatë. Në të dy afatet e konkursit, që kanë zgjatur nga 15 ditë, janë paraqitur pra gjithsej 22 kandidatë.

2. Komisioni i konkursit i përbërë nga 3 anëtarë të Këshillit të KPM-së ka përzgjedhur 5 kandidatët më të mirë të cilët janë ftuar në bisedë. Komisioni ka raportuar në mbledhjen e Këshillit të KPM-së, të mbajtur më 16 tetor 2006, mbi procesin e vlerësimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve të paraqitur në konkurs. Këshilli i KPM-së e ka shqyrtuar raportin e Komisionit, duke diskutuar me radhë për secilin nga 5 kandidatët më të mirë të cilët janë ftuar në bisedë. Në fund të këtij shqyrtimi, Këshilli është pajtuar me vlerësimin e Komisionit se Naile Selimaj-Krasniqi është kandidatja më e mirë që është paraqitur në konkurs dhe e ka zgjedhur atë Shefe Ekzekutive të Zyrës së KPM-së.

3. Komisioni ka bërë vlerësimin e kandidatëve në bazë të të gjitha kritereve të konkursit, e jo në bazë të kritereve të izoluara. Përvoja e gjatë e punës në Divizionin e Licencimit të KPM-së dhe njohja e mirë e punës së këtij institucioni si dhe studimet pasuniversitare në përfundim e sipër pranë Universitetit të Kalgarit të Kanadasë, kanë qenë disa nga përparësitë e kandidates së përzgjedhur.
Për Këshillin e KPM-së

Isuf Berisha

Kryesues i Këshillit të KPM-së
 


Kthehu mbrapa