Të licencuarit
2281 - Lajmi_i_plot | KPM

KONFERENCË PËR MEDIA

24 March 2017

    Digjitalizimi (DVBT-2) në nivel shtetëror;

·       Përgatitjet;

·       Rregulloret & Dokumentacioni i Tenderit;

·       Digjitalizimi në nivel regjional

·       Operimet ilegale në Transmetim Tokësor Digjital;



  -          Komisioni i Pavarur për Media (KPM) është në fazën përgatitore të fillimit të procedurave për implementimin e Ligjit për Dixhitalizimin e Transmetimeve Radiodifuzive Tokësore (Ligji Nr. 05/L-027) për të krijuar kushtet e kalimit nga transmetimi analog në atë digjital.

 -          Në fillim të këtij viti janë miratuar 5 Rregullore të reja për të vazhduar me punën në përgatitjen e materialit tenderues për dy MUX në nivel shtetëror.

-           Mediat tona mbesin akterë serioz në procesin e digjitalizimit, por vetëm duke vepruar brenda kornizës ligjore që duhet ndjekur për një kalim të suksesshëm nga transmetimi analog në atë digjital.

-           Ashtu siç parasheh Strategjia e KPM-së për Kalim në Transmetim Digjital në Republikën e Kosovës, inkurajojmë ofruesit e shërbimeve mediale audiovizuale (OSHMA) regjionale që të organizohen në themelimin e konsorciumeve, entiteteve juridike në përbërje të tyre, ashtu që ato të menaxhojnë vet MUXat respektiv në regjionet e tyre. Kjo është një formë që funksionon në disa vende evropiane dhe ka kosto të përballueshme të investimit për OSHMA-të regjionale.

-          Ka kohë që në Kosovë kanë filluar testime dhe transmetime digjitale pa një licencë valide dhe vazhdimësia e operimeve ilegale mund të dëmtojë procesin për të cilin po përgatitemi. Prandaj, për të siguruar një proces të drejtë ligjor, KPM kërkon prej të licencuarve që janë duke operuar në kundërshtim me Ligjin për digjitalizim që menjëherë të ndërprejnë veprimtarinë ilegale të transmetimit të sinjalit digjital në Republikën e Kosovës.

-          Me nenin  21, paragrafin 1, (Kundërvajtjet dhe gjobat) të Ligjit për Dixhitalizim Nr. 05/L-027, janë përcaktuar masat që duhet të ndërmirren:

 “Cilido person juridik,  pronarë i vetëm apo individ i vetëpunësuar do të gjobitet për kundërvajtje me ndëshkim prej: (50.000,00 deri 500.000,00) Euro në rast se personi në fjalë:

 1.1 Krijon një rrjetë në kundërshtim me këtë ligj;

1.4 Shfrytëzon radio-frekuencat për multipleks pa vendim valid për ndarjen e radio-frekuencave”.

-          KPM pret nga Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audiovizuale që të veprojnë në pajtim me Ligjin ashtu siç edhe ligjërisht obligohen me Licencën e KPM-së.

 ·       Përmbajtjet programore nga Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audiovizuale;

·       Monitorimet;

·       Ankesat;

·       Shqetësimet e KPM-së për përmbajtjet në kundërshtim me Kodin e Etikës dhe aktet tjera nënligjore;

 

Një ndër detyrat dhe obligimet e KPM-së është edhe monitorimi i punës së të licencuarve në relacion me Kodin e Etikës dhe me aktet tjera nënligjore. Me këtë rast, ju njoftojmë që gjatë monitorimeve të bëra për vlerësimin e pajtueshmërisë me legjislacionin e KPM-së, por edhe ankesave të shumta nga palët e ndryshme, Departamenti i Monitorimit dhe Analizës (DMA) ka identifikuar shkelje të ndryshme të rregulloreve të KPM-së, të cilat kanë shtyrë KPM-në që të adresojë shqetësimin për shkelje të shpeshta të transmetuara në programet e Ofruesve të Shërbimeve Mediale.

Shkeljet më të shpeshta të identifikuara nga monitorimet janë: shkelja e privatësisë ; mangësi në verifikimin e vërtetësisë së lajmit; mungesë në dallimin e qartë të lajmit nga opinioni; si dhe trajtim të pabarabartë të palëve të përfshira në kronika. Ankesat e parashtruara në KPM kanë të bëjnë kryesisht me shkeljet standardeve etike të parapara në Kodin e Etikës.

Gjetjet tjera shqetësuese gjatë monitorimit kanë të bëjnë me shprehjet  fyese, elemente të shpifjes dhe gjuhën vulgare në programe të caktuara, të cilat seriozisht ndikojnë negativisht në  dinjitetin njerëzorë dhe në raste të caktuara mund të nxisin edhe  dhunë.

Gjithashtu,  në përmbajtjet e disa komunikimeve komerciale janë shfrytëzuar besëtytnitë, është përdorur frikë në përmbajtjen e tyre si edhe janë promovuar dukuri paranormale. Transmetimi i përmbajtjeve të tilla përbën shkelje të Rregullores për Komunikimet Komerciale Audiovizuele. 

Në monitorimin e disa kronikave në edicionet e lajmeve, është vërejtur edhe keqpërdorimi i të miturve gjatë përfshirjes së tyre në rastet e intervistimit; intervistimin e tyre në emisionet ku prezantohen familjet me varfëri të skajshme, dhe  fëmijët në punë, ku Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audiovizuale nuk kanë marrë masa për të mbrojtur identitetin e tyre. Përkundër faktit se për intervistimin e fëmijëve dhe të miturve, gazetarët mund të kenë marr pëlqimin e prindërve apo kujdestarëve të tyre, konsiderojmë se në disa raste, publiciteti i panevojshëm apo etiketimi i gabuar, mund të cenojë dinjitetin dhe privatësinë e tyre, të shkaktojë trauma, madje në raste të caktuara, edhe t’i rrezikojë ata në rrethin ku jetojnë.

Transmetimi i disa spoteve muzikore me tekste vulgare dhe skena të dhunës, pa kurrfarë paralajmërimi për përmbajtje të dëmshme programore, përbënë shqetësimin e radhës për ne. Janë identifikuar spote muzikore të transmetuara, tekstet e të cilave glorifikojnë efektet pozitive të substancave narkotike, gjë që mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin fizik, mental, emocional dhe moral të fëmijëve dhe të miturve, duke i  inkurajuar ata për sjellje të tilla devijante.

Lidhur me këto përmbajtje programore, dhe me qëllim të parandalimit të ndikimit negativ të spoteve të kësaj natyre, KPM udhëzon të gjithë ofruesit e shërbimeve mediale audio-vizuale që të jenë më të vëmendshëm në përzgjedhjen e spoteve muzikore dhe kohën e  transmetimit të tyre, për t’i transmetuar ato në kohën kur konsiderohet se fëmijët nuk janë para ekraneve televizive.

Në mënyrë që mediat të japin kontributin e tyre në respektimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut dhe fëmijëve, KPM inkurajon të gjithë ofruesit e shërbimeve mediale që në programet e tyre të jenë të vëmendshëm dhe më të përkushtuar për mbrojtjen e dinjitetit dhe privatësisë, të përmbahen nga përdorimi i gjuhës vulgare, fyese e shpifëse dhe të sigurojnë mbulim të balancuar e të drejtë  të çështjeve me interes publik.

Sa i përket programeve dhe kronikave në të cilat janë të përfshirë fëmijët dhe të miturit, ofruesit e shërbimeve mediale audio-vizuale duhet të jenë më të vëmendshëm në trajtimin e temave, të raportojnë me kujdes të shtuar dhe t’i portretizojnë ata pa i dëmtuar dhe në mënyrë të drejtë. Gjithashtu, kujdes duhet pasur edhe me përdorimin e emrave, zërit, imazheve të fëmijëve dhe intervistimit të tyre, paralajmërimit për skena të dhunshme, të papërshtatshme, përzgjedhjes së kohës së transmetimit si dhe kategorizimit të duhur të përmbajtjeve programore, siç përcaktohet në Rregulloren për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve, Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale si dhe rregulloret tjera të KPM-së në fuqi.

Në përmbyllje të këtij komunikimi, ju njoftojmë se KPM planifikon së shpejti të organizojë takime me të gjithë Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio-Vizuale për të trajtuar së bashku gjetjet e paraqitura si më lartë, dhe të respektohen standardet e gazetarisë duke respektuar të drejtat e njeriut në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe akteve tjera ndërkombëtare që ndërlidhen me to. Qëllimi ynë është që të sigurojmë pajtueshmëri dhe rritje të profesionalizmit nga ana e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audiovizuale, prandaj, diskutimin dhe trajtimin e përbashkët të këtyre gjetjeve, KPM e konsideron si shumë të nevojshëm dhe të rëndësishëm për të qenë në shërbim të publikut në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.
 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE