Të licencuarit
2303 - Lajmi_i_plot | KPM

NJOFTIM PËR RADIO STACIONET TË CILAVE JU SKADON AFATI I LICENCËS

18 August 2016

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në vitin 2009 dhe 2010 ka bërë licencimin afatgjatë për ofruesit e shërbimeve mediale audio dhe audiovizuale me transmetim tokësor. Këtë vit përfundon afati 7 vjeçar për një numër të konsiderueshëm të radio stacioneve/për 62 radio stacione. KPM ka njoftuar me kohë të gjithë këta të licencuar për afatet ligjore për parashtrimin e kërkesave për ripërtëritje të licencës dhe tani është në proces të pranimit të kërkesave nga radiot e licencuara në vitin 2009.  

E drejta e ripërtëritjes dhe afatet për të parashtruar kërkesën për ripërtëritje të licencës së KPM-së është e përcaktuar me Nenin 25 të Ligjit të KPM-së, i cili thekson: 

“Përveç rasteve kur KPM-ja konsideron se licenca nuk duhet të ripërtërihet për shkak të shkeljes së dispozitave materiale nga ana e ofruesit të shërbimit medial audiovizuel privat për sa u përket kushteve dhe kritereve të licencimit, kandidati ka të drejtë të kërkojë përtëritjen e licencës nga Zyra Ekzekutive brenda gjashtë (6) muajve para skadimit të datës së licencës ekzistuese dhe minimum gjashtëdhjetë (60) ditë para skadimit të licencës”.

Për vazhdimin e licencës, KPM do të bëjë vlerësimin e pajtueshmërisë së të licencuarve me Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së, për periudhën efektive të vlefshmërisë së licencës të shërbimeve mediale audio (radiostacionet). KPM, deri më tani, ka identifikuar që disa nga  të licencuarit që kanë kërkuar vazhdimin e licencës për të vepruar si radio stacione janë në mospajtueshmëri me Ligjin e KPM-së dhe Rregulloren KPM-2014/03 për Nivelin dhe Mënyrën e Pagesës së Taksës për Licencë, pasi që kanë dështuar të bëjnë pagesën e tarifës vjetore të licencës së KPM-së për disa vite me radhë.  Të gjitha kërkesat nga ana e të licencuarve për vazhdimin e licencës së KPM-së, të cilët nuk kanë kryer obligimet ndaj tarifës vjetore të licencës së KPM-së, mund të mos merren fare në konsideratë nga KPM duke rezultuar me mos vazhdim të licencës për shtatë (7) vite tjera. 

Prandaj, KPM udhëzon të gjithë të licencuarit që, brenda afatit të përcaktuar me nenin 25 të ligjit të KPM-së dhe gjithsesi para se t’ju skadojë afati I licencës, të shlyejnë të gjitha obligimet lidhur me pagesën e tarifës vjetore të licencës së KPM-së, në mënyrë që të krijojnë kushtet fillestare për mundësinë e vazhdimit të licencës. 

Dështimi për të vepruar në pajtim me ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së, gjatë procesit të shqyrtimit të kërkesave për vazhdim të licencës së KPM-së, mund të krijojë bazë të mjaftueshme që pas përfundimit të vlefshmërisë së licencës së KPM-së, të pamundësohet vazhdimi i licencës për ato radiostacione të cilat janë në shkelje të ligjit dhe akteve nënligjore të KPM-së, e që nënkupton edhe përfundimin e ushtrimit të aktivitetit me shërbimet mediale audio në Republikën e Kosovës.

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE