Të licencuarit
2312 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM MBAJTI DËGJIMIN PUBLIK PARA MIRATIMIT TË RREGULLORES PËR SHPËRNDARJEN E SHËRBIMEVE MEDIALE AUDIO DHE AUDIO-VIZUELE

16 June 2016

 

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM),  me 14 qershor 2016, organizoi për të dytën herë më radhë dëgjim publik lidhur me draft Rregulloren për Shpërndarjen e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audio-vizuele. Kjo draft rregullore e bën  amandamentimin e Rregullores së KPM-së të vitit 2007 për Distribuim Kabllor të Programeve Radio Televizive në Kosovë. 

Takimin e hapi Kryetari i KPM, z. Adnan MEROVCI, i cili theksoi rëndësinë e amandamentimit të Rregullores për Shpërndarjen e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audio-vizuele, si akt nënligjor i cili ka si qëllim rregullimin e funksionimit të operatorëve të shpërndarjes së përmbajtjeve programore të shërbimeve mediale audio dhe audio-vizuele. Procesi i hartimit të kësaj draft rregullore ka kaluar nëpër disa faza të mëhershme dhe janë zhvilluar një sërë takimesh e diskutimesh me palët e interesit. Qëllimi i KPM-së është që të miratojë një rregullore sa më gjithëpërfshirëse dhe që do ti zgjidhte problemet e industrisë së medieve në këtë fushë. Drafti i kësaj rregulloreje është vënë për konsultim publik dy herë deri më tani, ku konsultimi publik i fundit ka qenë e hapur prej 10 mars 2016 deri më 30 mars 2016. 

KPM ka pranuar komente nga palët e interesit dhe i ka shqyrtuar të gjitha komentet dhe ato që kanë qenë të argumentuara në bazë ligjore, i ka vendosur në këtë draft. Tani KPM ka vendosur që edhe një herë të ftojë palët e interesuara në këtë dëgjim, për të dëgjuar komentet e tyre para se ta miratojë në një prej mbledhjeve të rregullta të ardhshme të Komisionit.   

Në këtë dëgjim publik, morën pjesë përfaqësues nga televizionet dhe radiot nacionale, regjionale dhe lokale, përfaqësues të operatorëve të ndryshëm të shpërndarjes dhe Ofrues të Shërbimit Programor, Asociacioni i Mediave të Pavarura Eelektronike të Kosovës, Misioni i OSBE-së në Kosovë, Posta dhe Telekomi i Kosovës,  BIRN etj.

Komente dhe vërejtje që u dhanë nga të pranishmit në draft Rregulloren për shpërndarjen e shërbimeve mediale audio dhe audio-vizuele ishin kryesisht të bënin me çështjen e bartjes së obligueshme, renditjen e kanaleve dhe kriterin e kuotës prej 40% të programit gjeneralistik që duhet ta kenë televizionet për t’u kualifikuar për bartje të obligueshme.  U ngrit edhe çështja e  mbrojtjes së  mediave të vogla regjionale/lokale me këtë rregullore. Pjesëmarrësit diskutuan edhe për përcaktimin e pakove televizive dhe koston për bartjen e sinjalit nga ofruesi i përmbajtjes  deri tek operatori i shpërndarjes.  

 

Në diskutim e sipër, u ngrit edhe çështja e ndryshimit të rregullores së reklamës, për të cilën u njoftua që KPM së shpejti do ta ketë në konsultim publik.  

 

Kryetari i KPM-së z.MEROVCI, në mbyllje të diskutimit publik njoftoi pjesëmarrësit se komentet e dhëna prej tyre, KPM do t’i shqyrtojë dhe do t’i përfshijë në draft të gjitha ato komente të bazuara dhe të argumentuara duke pas parasysh edhe se është faza finale e miratimit të Rregullores për Shpërndarjen e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audio-vizuele.

 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE