Të licencuarit
2337 - Lajmi_i_plot | KPM

VENDIMET E KPM-së NGA MBLEDHJA E NËNTË

21 October 2015

 

Nën udhëheqjen e kryetarit z. Adnan MEROVCI, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), më 20 tetor 2015, ka mbajtur mbledhje të rregullt. Pas miratimit të dy pikave të zakonshme të rendit të ditës, agjendës dhe procesverbalit të mbledhjes paraprake, KPM ka miratuar Raportin tremujor për periudhën korrik – shtator 2015, i cili sipas nenit 15 të Ligjit Nr. 04/L-44 për KPM i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në mbledhje KPM ka trajtuar disa raste ligjore të cilat kanë të bëjnë me shkelje të Rregullores KPM-2013/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio-Vizuele si dhe Rregullores KPM-2013/02 për të Drejtën e Autorit.

Pas konstatimit se tre Operator Kabllorë (OK ELEKTRA, OK KOSOVA NET dhe OK MAX TV) janë gjetur ne shkelje të nenit 2, paragrafi 2.1.3  të Kushteve dhe Termeve të Përgjithshme, pasi që në mënyrë të vazhdueshme kanë bërë bartjen e kanaleve pa të drejta autoriale, KPM në pajtim me nenin 30, paragrafi 1.3 të Ligjit të KPM-së, ka sanksionuar me gjobë OK të lartpërmendur, për shkeljet në fjalë.

Po ashtu, në shkelje të nenit 4, paragrafi 1, nenit 6 paragrafi 1 dhe nenit 7 të Rregullores KPM-2013/02, është gjetur edhe Koha Visioni (KTV), pasi që në mënyrë të vazhdueshme ka bërë transmetimin e përmbajtjeve programore sportive, seriale dhe dokumentarë pa të drejtë autoriale. Për këto shkelje KPM në pajtim me nenin 30, paragrafi 1.3 të Ligjit të KPM-së ka mare vendim që subjektit transmetues KTV t’i shqiptojë masën sanksionuese me Vërejtje.

Ndërsa, tri televizioneve lokale (TV Herc, TV Mir dhe TV Prizreni), KPM u ka shqiptuar masa sanksionuese me Vërejtje për shkak se janë gjetur në shkelje të nenit 6, paragrafi 2 dhe nenit 6, paragrafi 3, të Rregullores KPM-2013/01, pasi që filmat i kanë transmetuar jo sipas kategorizimeve siç është paraparë në Rregulloren KPM-2013/01.

Në fund të mbledhjes KPM ka trajtuar edhe tri raste të licencimit, me ç’rast ka marrë vendim për  ndryshim të pronësisë për ofruesin e shërbimeve programore ON TV, vendim për ndryshim të skemës programore për TV Dukagjinin si dhe vendim për ndryshim të fuqisë transmetuese për Radio Vala Rinore.

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE