Të licencuarit
2395 - Lajmi_i_plot | KPM

SHEFI I ZYRËS SË BE-së/PSBE NË KOSOVË Z. SAMUEL ŽBOGAR VIZITOI KPM-në

03 June 2014

Shefi i Zyrës së BE-së/Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë  z.  Samuel ŽBOGAR sot vizitoi Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM). Z. ŽBOGAR u prit nga kryetari z. Adnan MEROVCI, ku të pranishëm ishin edhe anëtarët tjerë të Komisionit si dhe kryeshefja ekzekutive e KPM-së. 

Z. MEROVCI informoi Përfaqësuesin e BE-së rreth  aktivitetit të KPM-së, sa i përket monitorimit të shërbimeve mediale audioovizuele gjatë fushatës parazgjedhore për Zgjedhjet Parlamentare të 8 qershorit 2014 dhe për kontaktet e bashkëpunimin me Misionin e BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve. 

Kryetari i Komisionit, z.Adnan MEROVCI, e njoftoi z. ŽBOGAR me punën e KPM-së për të përmbushur obligimin kushtetues e ligjor, me theks të veçantë punën që KPM është duke e bërë në finalizimin e Strategjisë për kalim nga sistemi analog në atë digjital në Republikën e Kosovës. Me këtë rast z. MEROVCI kërkoi përkrahje nga ai dhe zyra e BE-së në Kosovë, që të kemi një Strategji të pranueshme për Kosovën dhe në përputhje me direktivat dhe legjislacionin e BE-së. 

Z. MEROVCI potencoi kërkesën ligjore të miratimit të Strategjisë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila duhet t’i paraprijë Ligjit për Digjitalizim. Gjithashtu z. MEROVCI theksoi pozitën aktuale të transmetuesit publik dhe televizioneve komerciale me mbulueshmëri nacionale, për kalim nga transmetimi analog në atë digjital, trajtim jo diskriminues të tyre duke u bazuar në ligjshmëri, transparencë dhe konform praktikave më të mira evropiane. Ai poashtu ceku afatin shumë të shkurtër të kalimit në transmetim digjital (periudha eksperimentale). Theks të veçantë z. MEROVCI i kushtoi edhe vështirësive financiare me të cilat po ballafaqohet KPM-ja - me shkurtimet buxhetore kur dihet se është edhe vit i zgjedhjeve në Kosovë. 

Z. ŽBOGAR vlerësoi rëndësinë e institucionit të KPM-së dhe mbështeti punën e KPM-së dhe shprehu përkrahjen e tij të vazhdueshme, me ç’rast tha se praktika tregon se Bashkimi Evropian ka dhënë përkrahje në vendet e rajonit në veçanti për procesin e digjitalizimit gjë që do ta bëjë edhe me Kosovën. Ai theks të veçantë vuri në zbatueshmërinë e ligjshmërisë së mediave gjatë fushatës zgjedhore. 

Si konkluzion i përbashkët doli nevoja për përkrahje në finalizimin e digjitalizimit dhe avancimin e legjislacionit sekondar rregullativ për lëmitë që i takojnë KPM-së. 
 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE