Të licencuarit
3080 - Lajmi_i_plot | KPM

KOMUNIKATË PËR MEDIA

02 October 2019

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) fton të licencuarit e KPM-së të vazhdojnë të kontribuojnë me profesionalizëm në mbulimin e periudhës së mbetur të procesit zgjedhor, duke pas parasysh rëndësinë e raportimit të drejtë dhe të paanshëm dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në forcimin e demokracisë në vendin tonë.

Deri në përfundim të procesit zgjedhor, KPM udhëzon të licencuarit që: të angazhohen në edukimin e votuesve për të ushtruar të drejtat e tyre demokratike; të ofrojnë mundësi për publikun për të paraqitur shqetësimet, opinionet dhe nevojat e tyre tek përfaqësuesit e partive politike dhe të kenë mundësi të interaktivitetit me ta;  të raportojnë në mënyrë të drejtë dhe të paanshme lidhur me zhvillimet e procesit zgjedhorë; të ofrojnë mundësi për promovimin e platformave politike të partive politike në garë, përmes formave të ndryshme të programeve; të jenë të vëmendshëm sa i përket gjuhës së përdorur në përmbajtjet programore dhe të ndërmarrin veprime të duhura për evitimin e përdorimit të gjuhës së papërshtatshme, ofenduese dhe gjuhës së urrejtjes, veçanërisht nga pjesëmarrësit në programe të drejtpërdrejta. 

KPM udhëzon të licencuarit të sigurohen se përmbajtja programore e transmetuar është në pajtim me Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audiovizuale, duke respektuar parimet etike, mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të njeriut, si dhe të mos përmbajë gjuhë të dëmshme, fyese, denigruese dhe gjuhë të urrejtjes apo materiale që mund të nxisin dhunë, diskriminojnë apo njollosin individ apo grupe të caktuar të shoqërisë.

Sa i përket reklamimit politik, të licencuarit duhet të veprojnë në pajtim me legjislacionin në fuqi, veçanërisht sa i përket përmbajtjes, kohëzgjatjes së tyre, identifikimit të tyre (me apo pa pagesë), duke përfshirë këtu edhe emrin e organizatës ose individin përgjegjës për të. Po ashtu, OSHMA-të duhet të kenë kujdes në respektimin e Kodit të Etikës, duke mos përfshirë fëmijët në spotet promovuese politike.

Me qëllim të evitimit nga çfarëdo lloj ndikimi negativ në procesin zgjedhor, është e domosdoshme që të licencuarit të jenë të vëmendshëm gjatë heshtjes zgjedhore, posaçërisht gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta të përmbajtjeve programore, ku ekziston mundësia e keqpërdorimit të hapësirës së ofruar, qoftë nga kandidatët e subjekteve politike apo pjesëmarrësit në programe, për të bërë thirrje apo promovim për ndonjë partie politike.

Prandaj, në këtë proces të jashtëzakonshëm zgjedhor, kërkohet që të licencuarit të veprojnë në pajtueshmëri të plotë me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, Udhëzuesin e KPM-së për Sjelljen e Mediave gjatë Fushatës Zgjedhore, me aktet nënligjore të KPM-së, si dhe të mos ndikohen nga partitë politike apo individë të caktuar, që do ta dëmtonin procesin zgjedhor, proces i cili është shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.  

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE