Të licencuarit
3268 - Lajmi_i_plot | KPM

Nënshkruhet deklarata e përbashkët për eliminimin e seksizmit në media

10 December 2020

Në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave, sot në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) dhe Agjencinë për Barazi Gjinore (ABGj) nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët me Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Deklarata u nënshkrua nga z.Luan Latifi - Kryeshef Ekzekutiv në KPM, znj.Luljeta Demolli - Drejtore Ekzekutive në QKSGj, znj.Edi Gusia - Kryeshefe Ekzekutive në ABGj dhe z.Ngadhnjim Kastrati - Drejtor i përgjithshëm i RTK-së, në prezencë të znj. Vlora Nushi, Udhëheqëse e zyrës së UNWomen në Kosovë.

Kjo deklaratë e përbashkët e iniciuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Agjencionin për Barazi Gjinore  është hartuar me qëllim të avancimit të barazisë gjinore në Kosovë me mediat si agjentë të ndryshimeve sociokulturore.

Përmes kësaj deklarate, në pajtim me obligimet që dalin nga Kodi i Etikës për Shërbimet Mediale Audiovizuele, si dhe parimet bazë të mosdiskriminimit dhe barazisë gjinore të mbrojtura e të promovuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, CEDAW, Konventën e Stambollit dhe ligjet tjera në fuqi, mediat nënshkruese të kësaj deklarate zotohen që:

- Të respektojnë Kodin e Etikës gazetareske dhe t'i përfillin me përpikëri rregullat e raportimit të drejtë, të saktë dhe të paanshëm në kontekstin e barazisë gjinore;

- Të punojnë në eliminimin e seksizmit dhe nxitjes së gjuhës së urrejtjes në media;

- T'i respektojnë, promovojnë dhe përfshijnë parimet e barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit në politikat e brendshme ekzistuese;

- T'i ngrisin kapacitetet e gazetarëve/eve, për raportim të ndjeshëm gjinor të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Nënshkrimi i kësaj deklarate është tërësisht vullnetar, duke e respektuar lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e mediave.

Kjo deklaratë është mbështet gjithashtu edhe nga U.D e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Kryetares së Kuvendit, znj. Vjosa Osmani e cila iu drejtua mediave me thirrjen për t'u bërë palë nënshkruese të deklaratës, me qëllim të avancimit barazisë gjinore në Kosovë.

Deklarata është e hapur për nënshkrim dhe është përcjell tek të gjitha mediat, të cilat në mënyrë vullnetare i marrin përsipër zotimet që dalin nga kjo deklaratë. Deklaratën mund ta gjeni në këtë këtu

 

 KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE