Të licencuarit
2255 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM PUBLIKON RAPORTIN E MONITORIMIT TË MEDIAVE GJATË FUSHATËS SË RAUNDIT TË DYTË TË ZGJEDHJEVE LOKALE 2017

30 November 2017

Në mbledhjen e mbajtur me 29 nëntor 2017, Komisioni i Pavarur i Mediave ka miratuar Raportin e Monitorimit të Mediave gjatë fushatës së raundit të dytë të zgjedhjeve lokale 2017.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka bërë monitorimin e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio-vizuale (OSHMA) të cilat kanë mbuluar fushatën e Zgjedhjeve Lokale 2017. Periudha e monitorimit ka zgjatur prej 13 deri më 19 nëntor 2017.

Raporti prezanton të gjeturat nga monitorimi i performancës së OSHMA-ve gjatë mbulimit të fushatës pesë (5) ditore si dhe heshtjes zgjedhore.

Monitorimi ka pasur për qëllim vlerësimin e performancës së OSHMA-ve, në pajtim me Kreun VIII “Mediat gjatë fushatës së zgjedhjeve” të Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme. Të gjeturat nga monitorimi i realizuar, janë prezantuar në raportin të cilin KPM e publikon sot.

Në këtë monitorim janë përfshirë 24 ofrues të shërbimeve mediale audio-vizuele, prej të cilëve nëntëmbëdhjetë (19) janë OSHMA me transmetim tokësor që u takojnë kategorive me mbulim nacional, regjional dhe lokal dhe pesë (5) OSHMA me program gjeneralistik që transmetojnë përmes operatorëve të shpërndarjes.  

Gjatë analizës është bërë edhe vlerësimi për mënyrën e prezantimit të fushatës zgjedhore nga OSHMA-të, (nëse ka pasur nxitje të urrejtjes, gjuhë të papërshtatshme, denigruese, fyerje, shpifje apo shkelje të dispozitave tjera të dhëna në Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës) në pajtim me Kodin e Etikës dhe standardet profesionale të gazetarisë

Gjatë monitorimit janë vlerësuar: paanshmëria në raportim, hapësira e ofruar për Subjekt i Certifikuar Politik (SÇP), gjuha e  përdorur si dhe pajtueshmëria me obligimet që dalin nga Kreu VIII të Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Ashtu si edhe në raportin e kaluar, pikat kryesore nga të gjeturat e këtij raporti mbeten:

  • Përmes hapësirës së ofruar me pagesë dhe pa pagesë, OSHMA-të kanë ofruar mundësi për shpalosjen e programeve politike të SCP-ve të cilët ishin pjesë e garës për balotazh 2017.

  • Raportimi i OSHMA-ve gjatë mbulimit të fushatës ishte kryesisht neutral, ndërsa në të shumtën e rasteve edhe renditja në prezantimin e fushatave të SCP-ve në edicionet e lajmeve ishte e balancuar dhe me rotacion.

  • Gjuha e përdorur në media gjatë kësaj fushate ka qenë kryesisht në pajtim me Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale.

  • OSHMA-të me mbulim tokësor nacional si dhe ato të cilat transmetojnë përmes operatorëve të shpërndarjes kanë mbuluar fushatën për balotazh në shumicën e komunave ndërsa, OSHMA-të me mbulim tokësor regjional dhe lokal përcollën kryesisht fushatën e kandidatëve të SCP-ve të cilat garuan në komunat ku ato operojnë.

  • Sa i përket distribuimit të kohës (sasisë së dhënë) në edicionet e lajmeve, OSHMA-të kanë ofruar hapësirë më të madhe kryesisht për SCP-të të cilat kanë pasur aktivitete dhe fushatë më të dendur si dhe ato që kanë garuar në më shumë komuna.

  • OSHMA-të të cilat transmetojnë në gjuhën serbe kanë transmetuar kryesisht fushatat e SCP-ve nga radhët e komunitetit serb.

  • Vlen të përmendet fakti se gjatë mbulimit të fushatës për balotazh nuk ka pasur transmetim të pikave reklamuese politike me prezencë të fëmijëve.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu:

Raporti i Monitorimit të Mediave gjatë raundit të dytë të Zgjedhjeve Lokale 2017

 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE