Të licencuarit
2293 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM MBAJTI DËGJIM PUBLIK PËR AKTET E REJA NËNLIGJORE LIDHUR ME PROCESIN E DIGJITALIZIMIT TË TRANSMETIMEVE TOKËSORE

15 December 2016

 

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM),  me 5 dhjetor 2016, organizoi dëgjim publik lidhur me aktet e reja nënligjore që ka hartuar KPM e të cilat dalin si rrjedhojë e procesit të digjitalizimit të transmetimeve tokësore, respektivisht Ligjit për Digjitalizimin e Transmetimeve Tokësore Radio Difuzive si dhe draft Rregulloren e Tarifës për Licencë, që është obligim i KPM për ta rishikuar çdo dy vite.

Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i KPM, z. Adnan MEROVCI.z.MEROVCI fillimisht foli për punën e KPM që është kryer deri më tani lidhur me hartimin e këtyre 5 draft rregulloreve si akte të reja nënligjore si dhe rëndësinë e hartimit/miratimit të këtyre rregulloreve:

-     Draft rregullore për renditjen logjike të kanaleve televizive të licencuara nga KPM

-    Draft rregullore për bartjen e detyrueshme të ofruesve të shërbimeve mediale në operatorin e multipleksit

-      Draft rregullore për operatorin e multipleksit

-      Draft rregullore për ofruesit e shërbimeve mediale

-      Draft rregullore për  tarifën për licencë 

Këto rregullore kanë qenë një obligim ligjor për KPM por edhe një nevojë e domosdoshme që të arrihet një rregullim sa më i avancuar ligjor i funksionimit të akterëve media në procesin e digjitalizimit. Puna në hartimin e  këtyre akteve nënligjore ka filluar në fillim të vitit 2016 dhe ka  kaluar nëpër të gjitha fazat dhe procedurat e parapara ligjore. Në këtë proces qëllimi i KPM është që të miratojë legjislacion që do të jetë sa më funksional dhe i përshtatshëm për mediat gjatë kalimit në transmetim digjital tokësor.

Draftet e këtyre rregulloreve kanë qenë konsultim ta hapur publik për 15 ditë pune ashtu siç e parasheh Ligji për KPM, ku kemi  pranuar komente nga palët e interesit. KPM ka shqyrtuar të gjitha komentet dhe ato që kanë qenë të argumentuara në bazë ligjore, i ka vendosur në këto drafte. megjithatë KPM ka vendosur që edhe një herë të ftojë palët e interesuara në këtë dëgjim publik, për të dëgjuar edhe një herë komentet e tyre të mundshme, para se këto akte nënligjore të miratohen.   
Pjesëmarrës në këtë organizim ishin pjesëmarrës përfaqësuesit nga televizionet dhe radiot nacionale, regjionale dhe lokale, Radio Televizioni i Kosovës, Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës,  përfaqësues të operatorëve të ndryshëm të shpërndarjes, përfaqësues të Ofrueseve të Shërbimit Programor, KTTN, Instituti i Medias i Kosovës,  etj.

Nga të pranishmit u dhanë vërejtje dhe komente të ndryshme në këto 5 draft rregullore:

z.Visar HOTI nga AMPEK paraqiti vërejtjet tek  Draft rregullorja për renditjen logjike të kanaleve televizive të licencuara nga KPM, ku u kërkua që renditja logjike e kanaleve të bëhet prej numrit ashru që prej numrit 6 e deri në 10 të jenë mediat regjionale. Ndërsa tek Draft rregullorja për ofruesit e shërbimeve mediale propozoi që të vendoset edhe një nen që obligon operatorin të bëjë informimin e publikut lidhur me ndryshimet teknike që ndërmerren. Gjithashtu z.HOTI paraqiti vërejtje edhe për standardet teknike HVC, DVBT2,MPEG4 dhe kërkoi që këto të rishikohen edhe një herë. Gjithashtu z.HOTI kërkoi që të mos diskriminohen mediat regjionale dhe lokale në procesin e digjitalizimit.  

Ndërsa znj.Ardita ZJENULLAHU nga AMPEK paraqiti vërejtjet tek mos rregullimi i pronësisë së medieve dhe tek disa çështje teknike tek  Draft rregullorja për operatorin e multipleksit, ku tha se janë në kundërshtim me Ligjin për Digjitalizimin e Transmetimeve Tokësore Radiodifuzive. Gjithashtu u kërkua që të miratohet propozimi tek Draft rregulloja për  tarifën për licencë, që tarifa e pagesës për licencë, të zbritet me 30%, si dhe të mundësohet pagesa e tarifës me 4 këste në vit.

z.Kujtim HAJREDINI nga ART Motion paraqiti vërejtje tek kategorizim i të licencuarve, respektivisht që nëse një operator shpërndarje është i licencuar si operator kabllor, ndërsa fillon të ofrojë edhe teknologji IPTV por me të njëjtën përmbajtje, të mos detyrohet të paguaj edhe për IPTV, vetëm pse ka ndërruar teknologjinë, ndërsa oferta programore ka mbetur e njëjtë, sepse kjo do të reflektonte detyrimisht në rritje të kostos së pagesës për konsumatorët/qytetarët.

z.Fazli VELIU nga Instituti i Medias i Kosovës propozoi që tek Draft rregulloja për  tarifën për licencë, të mos jetë tarifa e njëjtë si për televizionet lokale si për radiot lokale, pasi që këto të fundit shfrytëzojnë shumë më pak hapësirë në frekuencë dhe dihet se e kanë gjendjen edhe me të vështirë se televizionet për të funksionuar në tregun media.

Pjesëmarrësit në takim paraqiten vërejtje dhe komente e tyre për çështjet e standardeve teknike të rregullimit të transmetimit.

Kryshefja Ekzekutive e KPM znj.Naile KRASNIQI, paraqiti para pjesëmarrësve një informata në pika të shkurta rreth punës që e ka bërë KPM që prej fillimit të hartimit të këtyre draft rregulloreve, ku sqaroi se miratimi i këtyre akteve nënligjore është obligim i KPM që rrjedh prej Ligjit për Digjitalizimin e Transmetimeve Tokësore Radio Difuzive. Procesi i hartimit ka qenë mjaft kompleks, duke pas parasysh këtu se vetë digjitalizimi si proces është treguar të jetë një rrugë mjaft e vështirë edhe për vendet me të zhvilluara si dhe në vendet fqinje. Prandaj KPM ka si qëllim që rregullimin e procesit të digjitalizimit ta bazojë në praktikat me të mira evropiane dhe ndërkombëtare. Ndërsa sa i përket Draft rregullores për  tarifën për licencë, duke pas parasysh se Ligji për KPM, respektivisht neni 26 për tarifat e licencës, përcakton që niveli i tarifës duhet të jetë i njëjtë për secilën kategori. KPM ka propozuar në këtë draft rregullore që të ketë ulje të tarifës së licencës, në bazë të kërkesës së subjekteve të licencuara.  Draft Rregullorja për Nivelin dhe Mënyrën e Pagesës së Tarifës për Licencë është akt nënligjor me karakter të përgjithshëm përmes të cilës janë përcaktuar të drejtat dhe obligimet për një rreth të gjerë të subjekteve të licencuara.

z.Besim GOVORI dhe z.Niman RACAJ nga KPM, ofruan sqarime lidhur me standartet teknike dhe proceduat ligjore të hartimit të këtyre akteve nënligjore. U sqarua se KPM ka vendosur si parim ato standarde ndërkombetare që i ka miratuar dhe rekomanduar Unioni Ndërkobëtar i Telekomunikimeve (ITU) dhe standartet e vendosura nga Bashkimi Evropian, në fushën e medieve audiovizuele.

Në mbyllje të këtij diskutimit publik Kryetari i KPM-së z.MEROVCI,  sqaroi edhe një herë se të gjitha draftet e rregulloreve janë hartuar në pajtim me legjislacionin në fuqi në Kosovë dhe në harmoni me Direktivën për Shërbimet Mediale Audio Vizuele AVMSD, të Bashkimit Evropian. Duhet përmendur këtu faktin se KPM në gjithë këtë proces nuk ka pas të ndarë asnjë mjet financiar, prandaj edhe procesi është kryer me shumë vështirësi. Sa i përket komenteve, secila palë e interesit ka pasur mundësinë që të japë komentet dhe vërejtjet gjatë konsultimit publik por edhe deri tani dhe komentet e dhëna prej pjesëmarrësve, KPM do t’i shqyrtojë dhe do t’i përfshijë në draft të gjitha ato komente të bazuara ligjërisht dhe të argumentuara, e që janë në pajtim me Ligjin për KPM dhe standardet dhe praktikat e BE-së.

 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE