Të licencuarit
2329 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM MBAJTI KONFERENCË PËR TË DREJTAT E AUTORIT NË TRANSMETIM

14 December 2015

 

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) dhe Fondacioni Thomson të hënën më 14 dhjetor 2015, zhvilluan një tryezë të përbashkët me temë: "Të Drejtat e Autorit në Transmetim".

Hapjen e konferencës e bëri nënkryetari i KPM z. Driton QERIQI, ndërsa lidhur me të drejtat e autorit në fushën e transmetimit foli Kryeshefja Ekzekutive e KPM-se znj. Naile SELIMAJ-KRASNIQI, e cila paraqiti punën e KPM-se lidhur me obligimet që dalin nga Ligji Nr. 04/l-065 për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta si dhe nga Rregullorja KPM 2013_02  për të Drejtën e Autorit. Znj. Naile SELIMAJ-KRASNIQI tha se KPM i kushton vëmendje të posaçme të drejtave të autorit në transmetim gjë që tregon edhe me numrin e rasteve të trajtuara dhe proceduara. Ajo potencoi se si pasojë e mos zbatimit në tërësi të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta shpeshherë KPM është ballafaquar me sfida gjatë implementimit të ligjit.

Praktikat e rregullimit të të drejtave të Autorit në transmetuesit Evropian i solli znj. Jadranka VOJVODIĆ, Zëvendës Drejtoreshë në Agjencinë për Mediat Elektronike në Mali të Zi e cila tha se vendet e Bashkimit Evropian në mënyrë  strikte e kanë të rregulluar këtë fushë.

Nga këndvështrimi i transmetuesve foli znj. Ardita ZEJNULLAHU, Drejtoreshë Ekzekutive e AMPEK-ut e cila tha se institucionet relevante duhet të bëjnë më tepër në këtë drejtim për të siguruar një standard të lartë të implementimit të të drejtave të autorit në transmetim.

Nga këndvështrimet e përfaqësuesve të operatorëve kabllorë u potencua më me theks çështja e negocimit me shoqatën respektive për administrim kolektiv dhe niveli i lartë i tarifës së propozuar si problem.

Ishte konkluzion i përgjithshëm se Ligji për të Drejtat e Autorit, i cili aktualisht është në proces të amandamentimit, duhet të procedohet dhe miratohet sa më shpejtë, dhe më pas të vijohet me harmonizimin e akteve të nevojshme nënligjore si dhe të funksionalizohet i gjithë sistemi, i cili do të siguronte respektimin e të drejtave të autorit dhe të drejtat e  përafërta në përgjithësi dhe të drejtat në shërbimet mediale audio-vizuale në veçanti.

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE