Të licencuarit
2417 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM KËRKON VËMENDJE MË TË MADHE NGA TË LICENCUARIT LIDHUR ME PROGRAMIN E TRANSMETUAR

27 February 2014

 

Gjatë monitorimeve të pajtueshmërisë së shërbimeve mediale audio-vizuale me Rregulloret e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Departamenti i Monitorimit dhe Analizave  ka identifikuar kohëve të fundit  gjatë transmetimit të edicionit të lajmeve dhe emisioneve tjera, përmbajtje programore të cilat bien ndesh me Kodin e Sjelljes për Shërbimet Mediale audio-vizuele dhe Rregulloren për Mbrojtjen e Fëmijeve dhe të Miturve nga Përmbajtja e Dëmshme Programore. 

Përmbajtjet programore dhe spotet muzikore të identifikuara gjatë monitorimeve  paraqesin forma të diskriminimit dhe jo tolerancës mbi baza etnike, religjioze, bindjeve politike dhe dinjitetit njerëzorë. 

Veç kësaj, transmetimi i disa përmbajtjeve programore të identifikuara, paraqet edhe ndërhyrje  në çështjet thjesht private apo personale  të cilat nuk kanë asnjë ndikim në interesin publik. 

Nuk duhet lënë mënjanë edhe teprimet me skena të pajustifikueshme të dhunës, skena  provokative, erotike e fjalorë vulgar, që shumë shpesh transmetohen edhe në kohën e shikueshmërisë më të madhe. 

Duke i apostrofuar shkeljet e lartpërmendura, KPM konsideron se për parandalimin e transmetimeve të këtilla, krahas angazhimit dhe masave të ndërmarra të rregullatorit, kërkohet angazhim, vëmendje dhe dëshmi të  profesionalizmit nga ana e të licencuarve të KPM-së, duke respektuar parimet etike dhe duke vepruar në pajtueshmëri me të gjitha rregulloret e KPM-së.

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE