Të licencuarit
3075 - Lajmi_i_plot | KPM

KOMUNIKATË NGA TAKIMI KONSULTATIV ME MEDIAT LIDHUR ME ZGJEDHJET 2019

18 September 2019

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), në mbështetje të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), nën udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së, z. Muja FERATI dhe Kryeshefit Ekzekutiv z. Luan LATIFI, organizoi në Prishtinë një takim konsultativ me të gjitha mediat e licencuara nga KPM-ja. Ky organizim kishte për qëllim diskutimin rreth procesit zgjedhor, respektivisht obligimet e mediave sipas Ligjit për Zgjedhje dhe akteve nënligjore të KPM-së.

Në takim është prezantuar baza ligjore e aplikueshme në Republikën e Kosovës, si Kreu VIII i Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe legjislacioni i KPM-së, përfshirë Udhëzuesin e KPM-së për Zgjedhje dhe Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale, si dhe rastet e shkeljeve gjatë procesit të zgjedhjeve të mëparshme që u pasua me diskutime me të pranishmit rreth çështjeve që në përgjithësi kanë të bëjnë me obligimet e OSHMA-ve gjatë procesit zgjedhor dhe vështirësitë me të cilat ata ballafaqohen gjatë këtij procesi.

Në lidhje me të gjitha pikat e prezantuara me lartë, KPM ka nxjerrë disa rekomandime të cilat dalin nga shkeljet më të shpeshta të identifikuara nga KPM dhe të cilat do të mund dhe duhet tu shërbejnë mediave që në të ardhmen të veprojnë në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi.

Rekomandimet e KPM-së në pika të shkurta kanë të bëjnë me: evitimin e përdorimit të gjuhës së papërshtatshme, respektimin e heshtjes zgjedhore, ofrimin e hapësirës së balancuar për të gjithë subjektet politike dhe kandidatëve si dhe evitimin e prezencës e fëmijëve në spotet e subjekteve politike.

Sipas OSHMA-ve në përgjithësi, faktori kryesor që ndikon në shkeljet gjatë fushatës zgjedhore është koha e shkurtë e fushatës aktuale të tanishme, që paraqet vështirësi të mbulimit të aktiviteteve në mënyrë proporcionale të SPÇ-ve, si dhe burimet teknike dhe njerëzore të pamjaftueshme të OSHMA-ve për të ofruar mbulim sa më gjithëpërfshirës të aktiviteteve zgjedhore.

Sfidë tjerë për mediat mbetet pozita e pafavorshme në raport me mediat online sa i përket rregullimit si dhe rastet e ndikimeve të OSHMA-ve fqinje gjatë proceseve zgjedhore përmes platformave të operatorëve të shpërndarjes në të cilat janë të pranishme në vendin tonë.

Në fund të takimit, përfaqësuesit e KPM-së u shprehën se rregullatori i mediave është në dispozicion dhe i gatshëm  në ofrimin e  këshillave dhe asistencës së nevojshme për OSHMA-të ndaj vështirësive në punën e tyre dhe problemet të cilat ata i hasin gjatë zhvillimit të aktiviteteve të tyre.

 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE