3135 - Lajmi_i_plot | KPM

NËNSHKRUHET MEMORANDUM BASHKËPUNIMI NË MES TË KOMISIONIT TË PAVARUR TË MEDIAVE DHE DEPARTAMENTIT TË GAZETARISË NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS

08 January 2020

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës (UP). Marrëveshja është nënshkruar nga Kryetari i KPM-së z.Muja FERATI dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës z.Marjan DEMA.

Me këtë rast, përfaqësuesit e dy institucioneve u shprehen të kënaqur me arritjen e kësaj marrëveshjeje, si dhe u zotuan në arritjen e qëllimeve e objektivave të memorandumit. 
Një memorandum i tillë ka ardh si nevojë e studentëve të gazetarisë për të parë më afër funksionimin praktik të rregullimit ligjor të mediave elektronike në Republikën e Kosovës.

Memorandumi ka për qëllim kryesor forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes të KPM-së dhe UP-së, respektivisht Departamentit të Gazetarisë 

Sipas këtij memorandumi përcaktohen  modalitetet dhe mënyrat e bashkëpunimit në mes të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Departamentit të Gazetarisë së Universitetit të Prishtinës, respektivisht ofrohen mundësitë për studentët dhe Departamentit të Gazetarisë për tu  njohur me aktet normative në fuqi, që përfshijnë rregullimin e ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuele, përfshirë: Ligjin e KPM-së dhe aktet nënligjore të KPM-së si dhe njohja me procedurat e licencimit të KPM-së, si dhe gjithë spektrin medial të të licencuarve nga KPM-ja.

Ky bashkëpunim do të mundësojë sigurimin e praktikës dhe ngritjes profesionale të studentëve, të cilët falë një formimi akademik më të zhvilluar, do të jenë më të përgatitur për tregun e punës. Studentët të cilët e kryejnë praktikën, do t’i krijojnë vetës mundësi për të eksploruar fusha të ndryshme të karrierës që ata mund të ndjekin pas përfundimit të studimeve. Kjo praktikë do t’iu mundësojë organizatorëve vlerësimin e studentëve për punësimet e mëvonshme përmes marrjes së rekomandimeve, bazuar në rezultatet e tyre gjatë praktikës.  

Në koordinim me Departamentin e Gazetarisë, KPM do të ofrojë mundësi për zhvillimin e praktikës për studentët e Departamentit të Gazetarisë, duke mundësuar shfrytëzimin e kapaciteteve teknike dhe hapësirës së zyrës për hulumtime akademike të studentëve dhe stafit të Departamentit të Gazetarisë, ku zyrtarët e KPM-së do të angazhohen në ligjërata për studentët e Departamentit të Gazetarisë. Ligjëratat do të jenë të karakterit jashtëkurrikular dhe do të organizohen në kuadër të aktiviteteve të departamentit jashtë procesit mësimor. Po ashtu do të punohet në ofrimin e mundësisë për vizita studimore për studentët brenda ambienteve të punës së KPM-së, për t’u njohur nga afër me punën, procedurat dhe aktivitetet e KPM-së.

Si komponentë më kryesore do të jetë bashkëpunimi në realizimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me edukimin medial, përfshirë organizimin e debateve, ligjëratave, trajnimeve dhe aktivitete tjera që ndërlidhen me fushën përkatëse.

 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE