Të licencuarit
3191 - Lajmi_i_plot | KPM

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

03 May 2020

Sot me 3 maj shënohet dita botërore e lirisë se shtypit. Ndërsa në nivel global shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, gazetarët dhe mediat po ballafaqohen me vështirësitë gjatë raportimit të situatës së krijuar për shkak të pandemisë Kovid - 19. Në situatë të vështirë janë edhe mediat në Republikën e Kosovës, të cilat gjithashtu po ballafaqohen me vështirësi shtesë, për shkak të pandemisë me virusin Kovid - 19.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) inkurajon fuqishëm gazetarët dhe mediat në përgjithësi të bëjnë punën e tyre sipas standardeve profesionale, duke informuar drejtë publikun kosovar, ndërsa, njëkohësisht iu bënë thirrje të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës që të reflektojnë në krijimin e kushteve sa më të favorshme për gazetarët, përfshirë ruajtjen e pavarësisë së tyre, krijimin e ambientit sa më të sigurtë medial si dhe të ofrojnë mbrojtje gjatë ushtrimit të detyrave të tyre.

Prandaj, kjo ditë që shënon Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit le të shërbejë për të gjitha institucionet e vendit si obligim i domosdoshëm ndaj respektimit të shprehjes së lirë, në lirinë e mediave në përgjithësi dhe pluralizmit medial në vendin tonë, që është ndërtuar me shumë mund e sakrificë, me qëllimin sublim për të informuar qytetarët tanë.

Pluralizmi medial, liria e shprehjes si dhe mediat e lira janë parakusht themelor për një shoqëri demokratike dhe shtet demokratik, pa të cilat nuk mund të ketë zhvillim shoqëror, politik dhe ekonomik.

Shënimi i Ditës Botërore të Lirisë së shtypit le të shërbej si ditë për të gjitha institucione për të shprehur mbështjetje të plotë për gazetarët dhe mediat në përgjithësi, që të vazhdojnë të sigurojnë informim të drejtë të publikut, të besueshëm dhe cilësor, vecanërisht në kohën e vështirë në të cilën është duke kaluar vendi ynë.

                                                                                                                                                                                                                                                                                                 KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE