Në bazë të ligjit Ligji Nr. 04/L-44, neni 3 pika 1.1, KPM ka mandatin të përgatisë Strategjinë për kalim në transmetim digjital në Republikën e Kosovës si dhe dokumentet tjera strategjike për shërbimet mediale audiovizuale.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) më 16 dhjetor 2019, i ka dorëzuar Qeverisë së Republikës së Kosovës STRATEGJINË PËR TRANSMETIM DIGJITAL NË REPUBLIKËN E KOSOVËS. Procesi i hartimit të Strategjisë ka filluar vite me parë dhe dokumenti që iu dorëzua sot Qeverisë përfaqëson punën e bërë nga KPM, në bashkëpunim dhe këshillim me të gjitha institucionet relavante dhe me palët e interesit.
Hartimi i Strategjisë është bërë duke ndjekur procedurat e konsultimit publik në kuadër të obligimit ligjor dhe që përfshin një bazë të gjerë konsultash me institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare si dhe industrinë mediale nacionale dhe regjionale/lokale.
Me këtë Strategji KPM synon të krijojë një bazë të fuqishme ligjore dhe gjithëpërfshirëse, që do të mundësojë realizimin me sukses të digjitalizimit si projekt i rëndësishëm nacional.
Digjitalizimi është rezultat i zhvillimit tekniko-teknologjik, që bart në vete dhe afate kohore të caktuara ndërkombëtarisht për t’u realizuar. KPM synon që t’i respektojë afatet e përcaktuara dhe beson se nëse arrihet një bashkëpunim dhe bashkërendim i punëve, Kosova do ta kalojë këtë proces me sukses dhe pa vonesa të theksueshme, duke krijuar mundësi për qytetarët e Republikës së Kosovës që t’i përdorin shërbimet kualitative që i sjell Transmetimi Digjital.
KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE
Çfarë Është Transmetimi Televiziv Digjital?
Transmetimi televiziv digjital ofron shumë më shumë përparësi krahasuar me teknologjinë analoge të transmetimit:
Fotografi dhe zërim më cilësor
Numër më të madh programesh televizive për shikuesin pa pagesë shtesë;
Mundësi për zgjedhje programesh sipas kërkesës;
Interaktivitet;
Lehtësi për persona me dëgjim dhe të pamur të dobët për të përcjellë programe televizive etj.
Këto janë disa prej arsyeve kryesore pse bota e televizionit, si gjithë prodhimi dhe shpërndarja elektronike televizive, po kalon në teknologji digjitale.
Puna E KPM-së Lidhur Me Digjitalizimin
PUNA E KPM-së LIDHUR ME DIGJITALIZIMIN
Veprimin e parë për hartimin e strategjisë për Digjitalizim, KPM e ndërmori në korrik 2008 me organizimin e një takimi pune me ekspert për digjitalizim. Qëllimi i takimit ishte identifikimi i hapave të parë që Kosova duhet ndërmarrë për të filluar procesin e digjitalizimit. Po në këtë takim KPM krijoj idenë e hartimit të një plani që i përshtatet më së miri nevojave dhe kushteve të Kosovës. Nga ky takim KPM hartoi " RAPORTIN NGA TAKIMI MBI STRATEGJITË PËR RI-LICENCIMIN DHE DIGJITALIZIM".
Më19 dhjetor 2008 KPM organizoi Tryezën e Rrumbullakët me temën “Kosova dhe e Ardhmja Digjitale e Transmetimeve”. Në këtë tryezë u paraqitën sfidat nëpër të cilat kaluan vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian gjatë fazës së kalimit nga sistemi analog në atë digjital të transmetimeve, si dhe nevoja e hartimit të një strategjie që do të përcaktonte edhe Kosovën si pjesë të familjes digjitale të transmetimeve dhe si anëtare e Unionit ndërkombëtarë të Transmetimit (ITU). Aty, Komisioni i Pavarur për Media paraqiti planin frekuencor digjital të përcaktuar nga ITU për transmetimet tokësore digjitale së bashku me rezultatet e një studimi të bërë në lidhje me: “ STUDIMIN E POLITIKAVE DHE STRATEGJIVE ZHVILLIMORE TË TRANSMETIMIT DIGJITAL NË VENDET E RAJONIT DHE BASHKIMIT EVROPIAN”,.
Gjatë vitit 2009 KPM analizoi planin frekuencor digjital televiziv tokësor që rezultoi nga Konferenca e ITU-së ( RRC-06) dhe përgatiti projektin për t'i paraprirë procesit të kalimit në teknologjinë e transmetimeve televizive numerike-Alternativat Teknike për planin frekuencor digjital të Kosovës sipas standardeve të ITU-së. Ky projekt u prezantua në konferencën e pare ndërkombëtare me temën “ PREZANTIMI I TRANSMETIMIT DIGJITAL NË KOSOVË DHE RAJON – STRATEGJITË”që u mbajt në Prishtinë nga 3-5 dhjetor 2009.
Në këtë konferencë u diskutua nevoja për krijimin e dy mekanizmave koordinues:
Një të brendshëm, i cili do të duhej të ishte në mes të palëve me interes në Kosovë, dhe
Mekanizmi tjetër koordinues rajonal, i cili do të mund të iniciohej ndoshta me propozimin e Kosovës dhe do të përfshinte autoritetet përgjegjëse nga vendet e rajonit, të cilat mund të preken nga pasojat e mos koordinimit të duhur.
Mekanizmi i brendshëm koordinues, duhet t’i paraprij çfarëdo mekanizmi rajonal.
Të gjitha palët pjesëmarrëse në konferencë shprehën vullnetin e mirë për të marrë pjesë në një proces të tillë koordinues. Pjesëmarrësit theksuan gjithashtu nevojën e përfshirjes së Kosovës në procesin e planifikimeve frekuencore nga Unioni Ndërkombëtarë i Telekomunikimeve gjë që do të ishte si në interes të Kosovës ashtu edhe të UNT-së (ITU) që të rregullohet hapësira e transmetimit edhe për vendin tonë.
Me qëllim të hartimit të një strategjie të mirëfilltë për procesin e Digjitalizimit, Këshilli i Komisionit të Pavarur për Media në vitin 2009 me Vendimin Ref: 0901/0045/EXD/dd ka themeluar 5 grupe punuese për hartimin e strategjisë për:
GRUPI PUNUES PËR ÇËSHTJE TË PËRMBAJTJES SË PROGRAMEVE
GRUPI PUNUES PËR ÇËSHTJE LIGJORE
GRUPI PUNUES PËR ÇËSHTJE SHOQËRORE-EKONOMIKE
GRUPI PUNUES PËR ÇËSHTJE TEKNIKE
Grupet punuese përfaqësohen nga të gjitha institucionet relevante kosovare, të mediave dhe të shoqërisë civile.
Së fundi Komisioni i Pavarur i Mediave me 28 dhe 29 qershor 2012 realizoi edhe një konferencë ndërkombëtare rreth procesit të digjitalizimit. Në këtë konferencë KPM solli në Prishtinë ekspertë ndërkombëtar dhe përfaqësues të autoritetve rregullatore të Britanisë së Madhe, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Sllovenisë, Shqipërisë dhe Turqisë.
Qëllimi i konferencës ishte që në këtë fazë kur KPM është duke punuar në finalizimin e strategjisë për digjitalizimin në Kosovë të gjitha palëve me interes t’u ofrohet mundësia që të kuptojnë më mirë procesin që duhet kaluar bazuar në përvojat e shteteve fqinjë dhe të BE-së.
Dokumentet e KPM-së lidhur me digjitalizimin
Dokumente, Raporte, Analiza, Vlerësime etj., të KPM-së që kanë të bëjnë me përgatitjet për kalim nga sistemi analog në atë digjital tokësor të transmetimeve në Republikën e Kosovës.
RAPORT NGA KONFERENCA NDËRKOMBËTARE: DIGJITALIZIMI TOKËSOR TELEVIZIV – PRAKTIKAT EVROPIANE DHE RAJONALE
ANALIZA E TREGUT TË REKLAMËS NË REPUBLIKËN E KOSOVËS
VLERËSIMI I NIVELIT TË SHIKUESHMËRISË DHE PENETRIMIT TË MEDIAVE– SENSIBILIZIMI
PREZANTIMI I TRANSMETIMIT DIGJITAL NË KOSOVË DHE RAJON– STRATEGJITË
PROJEKTI I KOMISIONIT TË PAVARUR PËR MEDIA PËR T'I PARAPRIRË PROCESIT TË KALIMIT NË TEKNOLOGJINË E TRANSMETIMEVE TELEVIZIVE NUMERIKE-ALTERNATIVAT TEKNIKE PËR PLANIN FREKUENCOR DIGJITAL TË KOSOVËS SIPAS STANDARDEVE TË ITU-SË
RAPORT MBI STRATEGJITË PËR RI-LICENCIMIN DHE DIGJITALIZIMIN
STUDIM I POLITIKAVE DHE STRATEGJIVE ZHVILLIMORE TË TRANSMETIMIT DIGJITAL NË VENDET E RAJONIT DHE BASHKIMIT EVROPIAN
Me qëllim të azhurnimit të të dhënave, në shtator 2013 KPM ka realizuar këto raporte hulumtimi, të cilat shërbejnë për punën e mëtutjeshme të plotësim/ndryshimit të draft Strategjisë për Digjitalizim:
ANALIZA E TREGUT TË REKLAMËS NË KOSOVË
VLERËSIMI I GATISHMËRISË SË QYTETARËVE PËR KALIM NË TRANSMETIMIN DIGJITAL
Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KPM-së.