Të licencuarit
303 - Aktivitete | KPM

Edukimi Medial

Edukimi medial i referohet aftësive, njohurisë dhe të kuptuarit që u lejon qytetarëve të përdorin mediat në mënyrë efektive dhe të sigurt. Për të mundësuar që qytetarët të kenë qasje në informata dhe të përdorin, vlerësojnë në mënyrë kritike dhe krijojnë përmbajtje mediale me përgjegjësi dhe siguri, qytetarët duhet të posedojnë shkathtësi të avancuara të edukimit medial. Edukimi medial nuk duhet të kufizohet vetëm në mësimin e mjeteve dhe teknologjive, por duhet të synojë t'i pajisë qytetarët me aftësitë e të menduarit kritik që kërkohen për të gjykuar, për të analizuar realitetet komplekse dhe për të njohur dallimin në mes të opinionit dhe faktit.

Me rastin e Javës Globale për Edukimin mbi Median dhe Informacionin, javë kjo që shënohet çdo vit nga UNESCO, me 28 tetor, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në bashkëpunim me Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) organizuan një tryezë diskutimi me temë ‘Rregullatorët e mediave dhe edukimi mbi median dhe informacionin (EMI)’. Tryezën e udhëhoqi dhe e moderoi Kryeshefi Ekzekutiv i KPM-së, z. Luan LATIFI. Në panelin e diskutimit ishin pjesëmarrës Nënkryetarja e KPM-së znj. Vioelta HYSENI KELMENDI, z. Burim EJUPI – Drejtor Ekzekutiv nga INDEP, znj.Remzije SHAHINI HOXHAJ – Instituti i Medias, Departamenti i Gazetarisë – Universiteti i Prishtinës, Imer MUSHKOLAJ – Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës dhe znj.Kaltrina HOXHA – OSBE. Në këtë tryezë ishin të pranishëm edhe Kryetari i KPM-së z.Muja FERATI së bashku me anëtarët e tjerë të KPM-së. Ndërsa pjesëmarrës tjerë ishin nga: INDEP, OSBE, Kosova Live, Doku Fest, SBASHK, MASHT,  RTV21, Ekonomia Online, Kosova Press, UNESCO, Loring Films etj.

Qëllimi i tryezës ishte që në kuadër të Javës Globale për EMI, akteret të mund të paraqesin pikëpamjet e veta lidhur me edukimin mbi median si dhe të diskutohet progresi i shënuar në këtë fushë. Në ekspozenë hyrëse Kryeshefi Ekzekutiv  i KPM-së, z. LATIFI para të pranishmëve paraqiti në pika kryesore rolin e KPM-së si rregullator në raport me edukimin medial. Duke vazhduar me  secilin nga anëtarët e panelit që prezantuan qëndrimet e veta. Ndërsa më pas u vazhdua me një diskutim interaktiv nga pjesëmarrësit dhe pyetje-përgjigjet për panelin. Nga gjitha ato sa u diskutuan nga pjesëmarrësit në takim, përgjithësisht u pajtuan se ende nuk është arritur që të formësohet një qasje e organizimit të përbashkët mes rregullatorit, mediave institucioneve tjera publike dhe OJQ-ve që e kanë fushëveprimtari funksionimin e medias, pra ende nuk ka një politikë në nivel vendi për edukimin medial.  Ndërsa, nga ana e përfaqësuesve të KPM-së u sqarua se me  draft Ligjin për KPM-së që është në procedurë të amandamentimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovë, planifikohet që KPM-ja të merr kompetenca dhe obligime ligjore të përcaktuara qartë, që të zhvillojë aktivitete në këtë fushë. Gjithashtu, në këtë tryezë u diskutua edhe për format dhe aktivitetet në të cilat mund të angazhohen akterë të ndryshëm në:

Rritjen e vetëdijes së qytetarëve për edukimin medial në mënyrë që qytetarët të kuptojnë më mirë mekanizmat ekzistues për rregullimin e mediave, aspektet që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga përmbajtjet programore, mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve si dhe aktivizimin e qytetarëve për të reaguar në rastet kur konsiderohet se përmbajtjet e tilla janë të kundërshtim me legjislacionin në fuqi.  Fuqizimin e përdoruesve të medias përmes zhvillimit të mendimin kritik për mesazhet që përçohen përmes mediave, që audienca të jetë në gjendje të zgjedh vet cilës media t'i besojë dhe të mund të adresojë te rregullatori ankesa për përmbajtjen mediale. Adresimin e sfidave të rregullimit përkatësisht amandamentimi dhe hartimi i legjislacionit krahas ndryshimeve të hovshme teknologjike dhe në harmoni me legjislacionin e BE-së, si dhe mënyrat dhe format e implementimit të tyre në praktikë.Mbrojtjen e vlerave kushtetuese që përmes promovimit të edukimit medial të sigurohet që mediat i shërbejnë nevojave të qytetarëve, ofrojnë hapësirë dhe qasje për të gjitha kategoritë e shoqërisë kosovare për të shprehur idetë dhe mendimet e tyre etj.

Ndërsa në lidhje me rolin e KPM-së si rregullator dhe kontributin që mund të jep në aspektin e edukimit mbi median, nga përfaqësuesit e KPM-së u thekuar se rregullatori do të angazhohet në:

  • Realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me edukimin medial, në bashkëpunim me palët tjera, siç janë institucionet arsimore e shoqëria civile;
  • Ofrimin e mbështetjes në krijimin e një rrjeti për edukimin medial dhe të ndihmojë koordinimin e punës;
  • Hartimin e politikave për edukimin medial dhe të zbatueshmërinë e tyre;
  • Ofrimin e mbështetjes financiare për projekte që kanë të bëjnë me edukimin medial;
  • Aktivitete në bashkëpunim me media për realizimin e fushatave për edukimin medial.

Gjithashtu lidhur me edukimin medial, Komisioni i Pavarur i Mediave ka mbajtur dy punëtori me nxënës të shkollave me qëllim të diskutimit të çështjeve që kanë të bëjnë me edukimin medial. Punëtoritë janë mbajtur më 20 dhe 21 nëntor 2019 me nxënësit e shkollës “Xhavit Ahmeti” në Gjilan dhe shkollës “Eqrem Çabej” në Prishtinë. Nxënësit janë njoftuar rreth rolit dhe mandatit të KPM-së si dhe rreth çështjeve që kanë të bëjnë kryesisht me edukimin medial, gazetarinë dhe qytetarinë dixhitale. Punëtoritë janë realizuar në kuadër të projektit “JUFREX” të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës.