Të licencuarit
2265 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM KA FILLUAR MONITORIMIN E OFRUESVE TË SHËRBIMEVE MEDIALE AUDIOVIZUALE (OSHMA) QË MBULOJNË FUSHATËN PËR ZGJEDHJET LOKALE

25 September 2017

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), duke qenë  përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të Kreut VIII i Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, nga 21 shtatori 2017 ka filluar monitorimin e ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuale (OSHMA) të cilat  mbulojnë  fushatën për Zgjedhjet Lokale 2017.

Monitorimi ka për qëllim vlerësimin e performancës së OSHMA-ve në pajtim me Kreun VIII “Mediat gjatë Fushatës së Zgjedhjeve” të Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Gjatë procesit të monitorimit do të jenë në fokus të gjitha format e prezantimit mediatik të  fushatave zgjedhore, sikurse  edicionet e lajmeve, spotet politike,  kronikat zgjedhore,  intervistat  e debatet  në kohën e shikueshmërisë më të madhe.

Për të ndihmuar të licencuarit që të veprojnë në pajtueshmëri me Kreun VIII të këtij Ligji, para fillimit të fushatës KPM ka përcjellur tek të gjithë licencuarit Udhëzuesin, i cili në fakt është interpretim më i detajuar i dispozitave të Kreut VIII të Ligjit për Zgjedhjet sa i përket:

1.      Identifikimit të reklamimit politik;

2.      Raportimit për hulumtimin e opinionit publik lidhur me zgjedhjet; dhe

3.      Periudhës së heshtjes zgjedhore.

Bashkë me Udhëzuesin, KPM ka dërguar tek të licencuarit edhe format e ditarëve dhe sqarimet për mënyrën e plotësimit të tyre në mënyrë që të licencuarit që mbulojnë fushatën për Zgjedhjet Lokale 2017 të regjistrojnë kohën e emetimit dhe ekspozimeve tjera të medieve, të dhënat për reklamim me pagesë dhe pa pagesë si dhe të aktiviteteve të fushatës për secilën parti. Këta Ditarë duhet të dorëzohen në KPM çdo javë.

Deri më 22 tetor 2017, KPM do të mbajë komunikimin me të licencuarit varësisht prej të gjeturave nga monitorimet kurse pas përfundimit të zgjedhjeve KPM do të publikojë edhe raportin gjithëpërfshirës lidhur me performancën e medieve që kanë mbuluar fushatës për Zgjedhjet Lokale 2017.

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE