Të licencuarit
2300 - Lajmi_i_plot | KPM

Njoftim nga Komisioni i Pavarur i Mediave lidhur me zbatimin e Rregullores KPM-2016/02 për Komunikimet Komerciale Audio Vizuele dhe Rregullores KPM 2013/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio-vizuele

28 September 2016

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në bazë të mandatit dhe obligimit ligjor, në vazhdimësi monitorion përmbajtjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audiovizuele (OSHMA), për të siguruar se kjo përmbajtje e transmetuar është në pajtueshmëri me Ligjin dhe rregulloret e KPM.

Nga monitorimet e bëra KPM ka vërejtur se disa nga OSHMA-të janë duke vepruar në vazhdimësi në kundërshtim me disa nga përcaktimet ligjore të Rregullores për Komunikimet Komerciale Audiovizuele dhe Rregullores për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audiovizuele.

Rregullorja për Komunikimet Komerciale Audiovizuale është amandamentuar dhe ka hyrë në fuqi më 8 shtator 2016. Amandamentimi është bërë tek Neni 11, paragrafi 2 i Rregullores së re KPM 2016/02 ku KPM ka përcaktuar që televizioneve komerciale t’u lejohet fleksibilitet në transferimin e minutave të përmbajtjeve komerciale audiovizuale nga ora 18:00 deri në ora 24:00, por deri në 20% të vëllimit të përgjithshëm të programit të transmetuar gjatë kësaj periudhe kohore.

Obligimet tjera kanë mbetur të njëjta sikurse në rregulloren paraprake. Edhe shkeljet e bëra nga OSHMA-të, bazuar në monitorimet e bëra, vazhdojnë të mbesin të njëjta.

Njëra prej shkeljeve të identifikuara vit pas viti është  mos-identifikimi/veçimi apo dallimi nga pjesët tjera programore i komunikimeve komerciale audio-vizuele (neni 7, paragrafi 1, pika 1.1), përfshirë këtu reklamimin televiziv (neni 10, paragrafi 1), teleshopingun (neni 10, paragrafi 1), sponsorimin (neni 13, paragrafi 1, pika 1.4), dhe vendosjen e produkteve (neni 15, paragrafi 4, pika 4.4).

Veç kësaj, është vërejtur se përkundër vërejtjeve të dërguara më parë nga KPM, programet e lajmeve në disa prej OSHMA-të ndërpriten me komunikime komerciale audio-vizuele edhe kur kohëzgjatja e tyre është më e shkurtër se 30 minuta, dhe se disa nga këto komunikime komerciale nuk janë të dallueshme dhe veçueshme, në këtë rast, nga programet e lajmeve (neni 10, paragrafi 1). Në disa raste, programet e lajmeve në kohëzgjatje më të gjatë se 30 minuta, ndërpriten me komunikime komerciale pa kaluar periudha kohore prej së paku 30 minuta, siç parashihet në Rregullore (neni 21, paragrafi 5). 

Sipas Rregullores në fjalë (neni 21, paragrafi 5) përcaktohet që programet e lajmeve mund të ndërpriten me komunikime komerciale audio-vizuele ose teleshoping një herë pas së paku çdo 30 minutave, nëse kohëzgjatja e planifikuar e programit është më e gjatë se 30 minuta.

Lidhur me këtë, KPM i fton OSHMA-të që të jenë më të vëmendshëm gjatë përdorimit të formave të komunikimeve komerciale në programet e tyre, duke vepruar në pajtim me Rregulloren për Komunikime Komerciale Audio-Vizuele KPM 2016/02.

Përveç këtyre gjetjeve, sipas monitorimeve të bëra është vërejtur se disa nga OSHMA vazhdojnë të veprojnë në kundërshtim edhe me Rregulloren KPM 2013/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio-vizuele tek kategorizimi i programeve, paralajmërimi dhe përdorimi i shenjave dhe piktogrameve.

Me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve dhe të miturve nga përmbajtjet e programeve të cilat ndikojnë negativisht në zhvillimin e tyre fizik, mental dhe moral, OSHMA-të  duhet që të veprojnë në pajtueshmëri sa i përket obligimeve dhe kufizimeve të përcaktuara në këtë Rregullore, posaçërisht sa i përket paralajmërimit të programeve me përmbajtje të dëmshme (neni 3), kategorizimit të këtyre programeve (neni 5), kohës së transmetimit të tyre (neni 6) dhe përdorimit të shenjave dhe piktogrameve (neni 7 dhe shtojca që përcakton shenjat e kategorive përkatëse) të përcaktuara në këtë Rregullore. 

Prandaj, KPM kërkon prej OSHMA që të kenë kujdes gjatë transmetimit të programeve televizive dhe të sigurohen që këto programe të jenë në pajtueshmëri me përcaktimet ligjore të rregulloreve të lartpërmendura. Në të kundërtën, KPM do të iniciojë komunikimet individuale sipas procedurave ligjore me secilin ofrues të shërbimit medial audiovizual i cili do të veprojë në kundërshtim me to.

 

 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE