Të licencuarit
2325 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM MBAJTI DËGJIMIN PUBLIK PARA MIRATIMIT TË RREGULLORES PËR SHPËRNDARJEN E SHËRBIMEVE MEDIALE AUDIO DHE AUDIO-VIZUELE

28 January 2016

 

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në pajtim me nenin  8 të Ligjit Nr. 04/L-44 për KPM-në, me 25 janar 2016, organizoi dëgjimin publik me qëllim të vënies edhe një herë në dispozicion të  publikut dhe palëve të  interesuara draft Rregulloren për Shpërndarjen e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audio-vizuele. Ky draft prezanton amandamentimin e Rregullores së KPM-së të vitit 2007 për Distribuim Kabllor të Programeve Radio Televizive në Kosovë. 

Hapjen e bëri Kryetari i KPM, z. Adnan MEROVCI, i cili theksoi rëndësinë e amandamentimit të Rregullores për Shpërndarjen e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audio-vizuele, si akt nënligjor i cili ka si qëllim rregullimin e funksionimit të operatorëve të shpërndarjes së përmbajtjeve programore të shërbimeve mediale audio dhe audio-vizuele. Ky proces ka kaluar nëpër disa faza të mëhershme dhe janë zhvilluar një sërë takimesh e diskutimesh me palët e interesit. Drafti i kësaj rregulloreje është vënë për konsultim publik ku ftesa për komente publike ka qenë e hapur prej 27 tetor 2015 deri më 20 nëntor 2015, dhe palët e interesit i kanë dërguar komentet e tyre në KPM. 

KPM i ka shqyrtuar të gjitha komentet dhe ato që kanë qenë të argumentuara në bazë ligjore, i ka vendosur në këtë draft. Tani KPM ka vendosur që edhe një herë të ftojë palët e interesuara në këtë dëgjim, për të dëgjuar komentet e tyre para se ta finalizojë atë dhe ta miratojë në një prej mbledhjeve të rregullta të ardhshme të Komisionit.   

Në dëgjimin publik pjesëmarrës ishin përfaqësues nga televizionet dhe radiot nacionale, regjionale dhe lokale, përfaqësues të operatorëve të ndryshëm të shpërndarjes dhe Ofrues të Shërbimit Programor, Asociacioni i Mediave të Pavarura Eelektronike të Kosovës, Misioni i OSBE-së në Kosovë, Posta dhe Telekomi i Kosovës, etj.

Nga të pranishmit u dhanë komente dhe vërejtje kryesisht në draft Rregulloren për shpërndarjen e shërbimeve mediale audio dhe audio-vizuele: tek çështja e “bartjes së obligueshme” dhe renditja e kanaleve duke argumentuar me nevojën e mbrojtjes së  mediave të vogla regjionale/lokale. Gjatë diskutimit u fol edhe për kriteret e përcaktuara bazuar në programin gjeneralistik, marrëveshjet për të drejta e autorit dhe të shpërndarjes, raportet mes operatorëve të shpërndarjes dhe televizioneve dhe përcaktimi i pakove televizive.
 
Pas diskutimeve nga pjesëmarrësit në fund të takimit, në kuadër të konkluzave të  përgjithshme u nxor çështja e rradhitjes së kanaleve, e cila sipas draftit të rregullores së shqyrtuar do t’i lihet në mundësi të shikuesit për ta bërë dhe që për këtë operatori ka obligim ta ofrojë mundësinë teknike si edhe vendosja e statusit të “bartjes se obligueshme” që do të bëhët përmes plotësimit të kriterit prej 50% të programit gjenralistik të televizionit. 
Kryetari z.MEROVCI, në mbyllje të diskutimit, njoftoi palët e pranishme që në vazhdimin e punës në plotësim të Draft Rregullores, KPM do t’i marrë parasysh të gjitha vërejtjet dhe mendimet e publikut dhe palëve të interesit të prezantuara edhe gjatë dëgjimit, dhe do t’i përfshijë të gjitha komentet e bazuara dhe të argumentuara. 


KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE
26 dhjetor 2016