19 March 2015
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), ka pritur sot Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin Jean-CLAUDE SCHLUMBERGER. Ambasadorin e priti Kryetari i KPM-së z. Adnan MEROVCI, ku të pranishëm ishin edhe anëtarët tjerë të Komisionit si dhe Kryeshefja Ekzekutive.
z. MEROVCI e njoftoi z. SCHLUMBERGER rreth aktiviteteve më të rëndësishme të KPM-së, në përmbushje të obligimeve kushtetuese e ligjore, me theks të veçantë përkushtimin e saj në finalizimin e Strategjisë për kalim nga sistemi analog në atë digjital në Republikën e Kosovës. Po ashtu z. MEROVCI i solli në vëmendje edhe vështirësitë financiare me të cilat po ballafaqohet KPM-ja si pasojë e shkurtimeve buxhetore.
Ambasadori SCHLUMBERGER e vlerësoi rëndësinë e institucionit të KPM-së dhe shprehu përkushtimin e tij për përkrahje të vazhdueshme në zbatimin e standardeve më të larta në fushën e rregullimit të shërbimeve mediale audio-vizuele. Ai tha se vetëm institucionet që janë të qëndrueshme dhe të zhvilluara mund t’i përmbushin funksionet e tyre në mënyrë efektive.
KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE