27 February 2014
Gjatë monitorimeve të pajtueshmërisë së shërbimeve mediale audio-vizuale me Rregulloret e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Departamenti i Monitorimit dhe Analizave ka identifikuar kohëve të fundit gjatë transmetimit të edicionit të lajmeve dhe emisioneve tjera, përmbajtje programore të cilat bien ndesh me Kodin e Sjelljes për Shërbimet Mediale audio-vizuele dhe Rregulloren për Mbrojtjen e Fëmijeve dhe të Miturve nga Përmbajtja e Dëmshme Programore.
Përmbajtjet programore dhe spotet muzikore të identifikuara gjatë monitorimeve paraqesin forma të diskriminimit dhe jo tolerancës mbi baza etnike, religjioze, bindjeve politike dhe dinjitetit njerëzorë.
Veç kësaj, transmetimi i disa përmbajtjeve programore të identifikuara, paraqet edhe ndërhyrje në çështjet thjesht private apo personale të cilat nuk kanë asnjë ndikim në interesin publik.
Nuk duhet lënë mënjanë edhe teprimet me skena të pajustifikueshme të dhunës, skena provokative, erotike e fjalorë vulgar, që shumë shpesh transmetohen edhe në kohën e shikueshmërisë më të madhe.
Duke i apostrofuar shkeljet e lartpërmendura, KPM konsideron se për parandalimin e transmetimeve të këtilla, krahas angazhimit dhe masave të ndërmarra të rregullatorit, kërkohet angazhim, vëmendje dhe dëshmi të profesionalizmit nga ana e të licencuarve të KPM-së, duke respektuar parimet etike dhe duke vepruar në pajtueshmëri me të gjitha rregulloret e KPM-së.
KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE