Të licencuarit
3035 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM kërkon nga të licencuarit që të respektojnë kornizën ligjore lidhur me ndalesat dhe kufizimet për përmbajtjet e dëmshme programore

25 January 2019

Komisioni i Pavarur i Mediave me vëmendje ka përcjellur çështjet e ngritura në opinion së fundmi sa i përket transmetimit të përmbajtjeve programore përmes të cilave mund të nxiten ose promovohen dukuritë negative dhe aktivitetet kriminale, me theks të veçantë tek përmbajtjet e spoteve muzikore që ndërlidhen me promovimin e substancave narkotike.

Për çështje të ngjashme, KPM ka shprehur shqetësimin e vet në vazhdimësi në komunikimet individuale me të licencuarit dhe përmes njoftimeve publike me synim që t’u rikujtohen atyre obligimet ligjore dhe etike karshi publikut.

Përmbajtjet që promovojnë përdorim të substancave narkotike dhe nxitjen e aktiviteteve kriminale janë të ndaluara kurse kategoritë e programeve që mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin fizik, mendor dhe moral të fëmijëve dhe të miturve janë të kategorizuara dhe të rregulluara sipas Ligjit Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave si dhe akteve nënligjore të KPM-së.

Rregullorja KPM 2017/07 për Komunikimet Komerciale Audiovizuale, e cila synon mes tjerash edhe mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve nga format e komunikimit komercial audiovizual ndalon inkurajimin e sjelljeve që mund të dëmtojnë shëndetin, zhvillimin mendor e moral; reklamimin e disa produkteve si cigaret dhe produktet e duhanit, armët dhe municioni, pajisjet piroteknike dhe drogat.

Gjithashtu Rregullorja KPM 2013/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Miturve në Shërbimet Mediale Audiovizuale, përcakton mënyrën e kategorizimit, sinjalizimit dhe kohën e transmetimit të programeve të tilla, si dhe mbrojtjen dhe respektimin e identitetit të fëmijëve dhe të miturve në programe.  

Edhe Kodi i Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës KKPM 2016/03 rregullon çështje që kanë të bëjnë edhe me mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve sa i përket përmbajtjes së dëmshme dhe fyese.

KPM në vazhdimësi kryen monitorime periodike lidhur me vlerësimin dhe pajtueshmërinë e të licencuarve me Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së. Gjatë vitit 2018, KPM ka realizuar monitorimin e programit të 27 Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio-Vizuele (TV), prej tyre 3 me mbulim tokësor nacional, 16 me mbulim tokësor lokal/regjional dhe 8 që operojnë përmes operatorëve të shpërndarjes. Prej tyre ka rezultuar të jenë në shkelje 8, ndaj të cilave janë ndërmarrë masa sanksionuese në pajtim me Ligjin e KPM-së. Ndaj këtyre Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio-Vizuele është kryer edhe monitorim shtesë dhe në bazë të gjetjeve janë ndërmarrë veprimet ligjore. Shkeljet e gjetura në bazë të monitorimit kishin të bëjnë me kategorizimin jo të duhur të programeve, mos paralajmërimin e programeve me përmbajtje të dëmshme dhe mos përdoriminin e shenjave dhe piktogrameve të përcaktuara në Rregullore

Këto shkelje janë diskutuar edhe në takimet e rregullta regjionale që KPM i ka organizuar me të licencuar e saj. Për KPM-në mbetet shqetësuese edhe sasia e vogël e programeve për fëmijë dhe të mitur, veçanërisht atyre edukative, në skemën programore të të licencuarve.

Komisioni i Pavarur për Media kërkon nga Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio-Vizuele që të kenë kujdes gjatë transmetimit të programeve televizive dhe të sigurohen që këto programe të jenë në pajtueshmëri me përcaktimet ligjore të rregulloreve të lartpërmendura, veçanërisht ndaj përmbajtjeve që paraqesin forma të diskriminimit, jotolerancës, nxitjes së urrejtjes, gjuhës së papërshtatshme, skena të pajustifikueshme të dhunës, skena  provokative e erotike, promovimin e përdorimit të substancave narkotike dhe çështjeve tjera që mund të kenë ndikim negativ tek fëmijët dhe të miturit. 

KPM konsideron se për parandalimin e transmetimeve të këtilla, krahas angazhimit dhe masave të ndërmarra të rregullatorit, kërkohet angazhim, vëmendje dhe dëshmi të  profesionalizmit nga ana e të licencuarve të KPM-së, duke respektuar parimet etike dhe duke vepruar në pajtueshmëri me Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së. 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE