16 April 2020
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) me shqetësim është duke i përcjellur çështjet e ngritura në opinion së fundmi, sa i përket kërcënimeve dhe linçimeve që kanë ndodhur ndaj disa gazetarëve.
KPM konsideron se këto kërcënime dhe sulme paraqesin njëkohësisht edhe sulm ndaj lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes në përgjithësi, prandaj, sjellje të tilla nga individë të caktuar janë të papranueshme në një shtet të lirë dhe demokratik, të cilin po e synojmë.
Gazetarët dhe mediat në përgjithësi, janë duke luajtur rol shumë të rëndësishëm, sidomos në këtë situatë të rëndë të shëndetit publik, ku edhe vendi ynë po ballafaqohet seriozisht në këtë kohë të pandemisë globale me Covid-19.
KPM ua rikujton të gjithë akterëve në vend, se mbetet e përkushtuar në përmbushjen e misionit të vet institucional, kushtetues dhe ligjor, e që është mbrojtja e lirisë e shprehjes, shumëllojshmërisë së mendimit, qasjen në informata për gazetarë dhe publikun, inkurajimin e profesionalizmin në radhët e gazetarëve, menaxherëve dhe pronarëve të mediave.
Prandaj KPM konsideron se për parandalimin e ngjarjeve të tilla, nevojiten veprime me kohë nga ana e institucioneve përgjegjëse, duke krijuar ambient të sigurtë për të ushtruar profesionin e gazetarisë.
Njëkohësisht, KPM fton mediat e licencuara dhe të gjithë gazetarët, që të raportojnë duke respektuar parimet etike dhe duke vepruar në pajtueshmëri me Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së.
KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE