28 September 2020
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) zhvilluan një takim pune ditën e premte, 25.09.2020, në zyrën e AMA-s në Tiranë.
Në këtë takim, Kryeshefi Ekzekutiv i KPM-së z. Luan Latifi dhe Kryetari AMA-s z. Gentian Sala, diskutuan për intensifikimin e bashkëpunimit dhe komunikimit sistematik të institucioneve, në shërbim të konsolidimit të performancës institucionale për rregullimin e tregut audioviziv. Temë kryesore e diskutimit ishte procesi i kalimit nga transmetimi analog në atë digjital. Gjithashtu edhe aplikimet e reja teknologjike në fushën e medias, mbeten aspekte ku KPM dhe AMA kanë mundësi për të intensifikuar më shumë shkëmbimin e informacionit dhe përvojave, bazuar dhe në praktikat e rregullatorëve në vendet e BE-së.
Një çështje tjetër që u diskutua në takim është edhe roli dhe impakti i transmetimeve përtej kufijve, ku transmetimet e subjekteve audiovizuele nga Shqipëria ndiqen në territorin e Republikës së Kosovës, dhe anasjelltas dhe për subjektet nga Kosova në Shqipëri. Për trajtimin e problematikave që krijohen, për ankesa të ndryshme të qytetarëve nga të dy vendet, u diskutua mundësia e realizimit të shkëmbimit të informacionit nga dy institucionet për zgjidhjen më të shpejtë dhe profesionale të tyre.
Shkëmbimi i komunikimit virtual mes dy institucioneve ishte një pikë tjetër e diskutuar gjatë takimit, e cila u vlerësua si mekanizëm në favor të intensifikimit të bashkëpunimit dhe mbulimit të angazhimeve me interes të ndërsjellë. Kjo do të konkretizohet shumë shpejt me instalimin e linqeve në faqet respektive zyrtare online të KPM-së dhe të AMA-s.
Komisioni i Pavarur i Mediave