Të licencuarit
3311 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM publikon Raportin e monitorimit të mediave gjatë fushatës për Zgjedhjet e parakohshme 2021

02 March 2021

Komisioni i Pavarur i Mediave ka publikuar sot “Raportin e monitorimit të  Ofrueseve të Shërbimeve Mediale Audio-vizuele  gjatë fushatës për Zgjedhjet e parakohshme 2021, për Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Qëllim i monitorimit për periudhën 3 deri më 14 shkurt 2021, ishte vlerësimi i performancës së OSHMA-ve në pajtim me Kreun VIII të këtij Ligji, të titulluar “Mediat gjatë Fushatës së Zgjedhjeve”, si dhe Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së. Ky raport është realizuar nga Departamenti i Monitorimit dhe Analizës (DMA) i Zyrës Ekzekutive dhe prezanton të gjeturat nga monitorimi i OSHMA-ve gjatë mbulimit të fushatës zgjedhore dhe periudhës së heshtjes zgjedhore deri në mbylljen zyrtare të vendvotimeve.

Raporti prezanton të gjeturat nga monitorimi i performancës së OSHMA-ve të cilat kanë mbuluar fushatën e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në monitorim janë njëzet e dy (22) ofrues të shërbimeve mediale audio-vizuele, prej të cilëve:

  • Tri (3) me mbulim tokësor nacional (RTK1, KTV dhe TV21);
  • Katërmbëdhjetë (14) OSHMA me mbulim tokësor lokal/regjional (TV LIRIA, TV FESTINA, TV PRIZRENI, TV BESA, TV MITROVICA, TV PULS, TV TEMA, TV VALI, TV MIR, TV DUKAGJINI, TV SYRI, TV OPINION, TV HERC, TV MOST); dhe
  • Pesë (5) OSHMA me program gjeneralistik që transmetohen përmes operatorëve të shpërndarjes (RTK2, Kanal 10, ATV, Klan Kosova dhe TE7).

Dy OSHMA me mbulim tokësor lokal/regjional (TV ZOOM dhe TV ILIRIA) për shkaqe teknike nuk janë përfshirë në këtë monitorim.

Gjatë procesit të monitorimit, në fokus ishin të gjitha format e prezantimit medial të fushatës zgjedhore si: edicionet e lajmeve, pikat politike reklamuese, kronikat zgjedhore dhe intervistat e debatet e transmetuara nga ora 16:00 deri në orën 24:00.

Nga të gjeturat e monitorimit rezulton se prezantimi i fushatës për zgjedhjet nga OSHMA-të, ishte kryesisht objektiv dhe i paanshëm, në pajtim me dispozitat për media në Ligjin për Zgjedhje dhe Kodin Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio-Vizuele.

Vlen të theksohet se, gjatë periudhës zgjedhore në KPM nuk është adresuar asnjë ankesë nga ndonjë palë.

 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE