Të licencuarit
3361 - Lajmi_i_plot | KPM

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport, e vizitoi Komisionin e Pavarur të Mediave

27 May 2021

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), ka pritur sot Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin z.Michael Davenport. Ambasadorin e priti Kryetari i KPM-së z.Xhevat Latifi dhe Kryeshefi Ekzekutiv i KPM-së z.Luan Latifi.

Në fjalë e tij prezantuese Kryetari z.Latifi tha se është i lumtur që bashkëpunimi me OSBE-në ekziston që nga themelimi i KPM-së si institucion dhe shprehu gatishmërinë e tij si Kryetar që të thellohet ende ky bashkëpunim mes institucionesh. Gjithashtu z.Latifi e njoftoi z.Davenport rreth aktiviteteve më të rëndësishme të KPM-së, në përmbushje të obligimeve kushtetuese e ligjore, me theks të veçantë përkushtimin e saj në përfundimin e procesit të kalimit në transmetim digjital, problemet që ka sjellë ballafaqimi me pandeminë Covid-19, vështirësitë financiare me të cilat po ballafaqohet KPM-ja si pasojë e shkurtimeve buxhetore që kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në punën dhe pavarësinë institucionale e financiare të KPM-së.

Ambasadori i OSBE-së për Kosovë z. Davenport  shprehu falënderimin për takimin dhe shtoi se bashkëpunimi i gjatë institucional mes OSBE-së me KPM-së ka qenë në nivel dhe konfirmoi gatishmërinë e OSBE-së që ky bashkëpunim do të vazhdojë të avancohet më tutje. Duke vlerësuar rëndësinë e institucionit të KPM-së, shprehu  përkushtimin e tij për përkrahje të vazhdueshme në zbatimin e standardeve më të larta në fushën e rregullimit të shërbimeve mediale audio-vizuele.  Ambasadori gjithashtu tha së është i njoftuar me disa vështirësitë që ka hasur KPM që nga fillimi i punës, prandaj çmon punën që është bërë deri tani dhe nga përvoja që ka në zhvillimin e institucioneve në rajon, është i impresionuar me zhvillimet në Kosovë. Sa i përket zhvillimeve në fushën e mediave, e gjithë bota është duke u sfiduar me mënyra të shumta të keqpërdorimit të lirisë së shprehjes, prandaj është impresionuese puna dhe angazhimi që ka pas KPM-ja, ku një theks i veçante iu është dhënë Edukimit Medial, përfshirë këtu bashkëpunimet e KPM-së me OSBE-në dhe me institucionet tjera.

Ndërsa Kryeshefi Ekzekutiv z. Latifi falënderoi Ambasadorin z.Davenport për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme që OSBE-ja i  ka ofruar KPM-së, përballë vështirësive që ka hasur KPM-ja si institucion. Sa i përket sfidave të KPM-së Kryeshfi Ekzekutiv përmendi se sfidë kryesore mbetet pavarësia financiare e KPM-së si dhe përfundimi i procesit të kalimit në transmetim digjital. Në këtë çështje ka një ngecje, por duhet sqaruar se KPM-ja ka përmbushur obligimi ligjor dhe ka dërguar për miratim në Qeveri Strategjinë për Digjitalizim katër herë deri me 2019, por asnjëherë nuk kanë marr përgjigje pse nuk është mbështetur kjo Strategji. Prandaj KPM pret vazhdimin e mbështetjes nga OSBE-ja në adresimin e këtyre sfidave. Me gjithë sfidat e ndryshme duke përfshirë edhe pengesat që ka sjellë pandemia Covid-19,  KPM-ja ka vazhduar angazhimet sidomos sa i përket Edukimit Medial ku ka nënshkruar Memorandume Bashkëpunimi me Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Institutin e Mediave të Kosovës, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Agjencinë për Barazi Gjinore. Kryeshefi Ekzekutiv sqaroi edhe për Projektligjin e ri të KPM-së, ku prej 2017 nga Kuvendi ishte iniciuar amandamentimi, por nuk është finalizuar asnjëherë dhe tani përsëri është në programin legjislativ të Qeverisë. KPM nuk është njoftuar për këtë hap, vetëm kanë parë njoftimin e bërë nga Qeveria. Ligji i ri duhet gjithsesi të harmonizohet me Direktivën AVMS të BE-së dhe të adresojë të gjitha komentet që KM-ja ka dërguar më herët për këtë projektligj.

Komisioni i Pavarur i Mediave