29 June 2021
Në kuadër të ngritjes dhe fuqizimit të kapaciteteve, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) prej 28 - 30 qershor po zhvillon një punëtori tre ditore me temën: Marrëdhëniet me media dhe ngritja e kapaciteteve të menaxhimit të mediave sociale”.
Punëtoria po zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit të KPM-së me Misionin e OSBE-së në Kosovë. Në këtë punëtori marrin pjesë zyrtarë të KPM-së, përfaqësues të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), përfaqësues nga OSBE-ja dhe ekspert të fushës së medias të angazhuar si ligjërues në punëtori. Qëllimi i kësaj punëtorie është prezantimi i zhvillimeve më të reja në fushën e mediave dhe marrëdhënieve me publikun dhe mediat.
Sesioni i parë që është trajtuar në punëtori ishte me temën “ Marrëdhëniet me mediat dhe publikun” ku pjesëmarrësit patën rastin të informohen me trendet me të reja të zhvillimit lidhur me format e marrëdhënieve me publikun.
Sesioni tjetër që trajtohet në punëtori është “Roli dhe rëndësia e mediave në shoqëri”. Në këtë pikë është prezantuar zhvillimet në tregun medial, krijimi i mjeteve të reja të komunikimit dhe formave e metodave të reja të komunikimit.
Sesioni i tretë në këtë punëtori është me temën “Menaxhimi dhe ndërveprimi me media sociale ”. Në këtë temë janë prezantuar roli dhe rëndësia e rrjeteve sociale, fuqia e tyre në rritje gjatë viteve të fundit si dhe konkurrencën që disa rrjetet sociale po i bëjnë mediave tradicionale si dhe shpërndarja e lajmeve të rrejshme përmes mediave sociale.
Sesioni i katërt në këtë punëtori është me temën “ Përdorimi i mediave sociale për komunikim profesional”. Në këtë temë janë prezantuar rregullat rreth hartimit të strategjive të komunikimit, krijimi i faqeve dhe nisja e fushatave.
Ky aktivitet mbahet në kuadër të mbështetjes për KPM-në nga misioni i OSBE-së në Kosovë.
Komisioni i Pavarur i Mediave