Të licencuarit
3411 - Lajmi_i_plot | KPM

Respektimi i periudhës së heshtjes zgjedhore

15 October 2021

Sot përfundon zyrtarisht periudha e fushatës zgjedhore dhe  fillon periudha e heshtjes zgjedhore. Prandaj, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) fton të gjithë të licencuarit (OSHMA) që të zbatojnë në tërësi nenin 52, paragrafin 1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton se:

Asnjë person apo medium nuk transmeton ose publikon çfarëdo materiali që i takon aktivitetit të fushatës gjatë periudhës që fillon njëzetekatër (24) orë para hapjes së vendvotimeve, deri në mbylljen zyrtare të vendvotimeve”.

Respektimi i periudhës së heshtjes zgjedhore nga ana e OSHMA-ve, përveç që është obligim ligjor, i ndihmon votuesit që të analizojnë programet e partive politike të prezantuara gjatë fushatës zgjedhore. Prandaj, çdo thyerje  e heshtjes zgjedhore nga ana e OSHMA-ve, në këtë periudhë shumë të rëndësishme zgjedhore,  konsiderohet ndërhyrje në vullnetin dhe orientimin e përcaktimit të qytetarëve, për të votuar subjektin politik, sipas përcaktimit të tyre të lirë dhe demokratik dhe në rast se gjatë monitorimit do të identifikohen shkelje, KPM do të ndërmarr masa sipas dispozitave ligjore që  rregullojnë procesin e heshtjes zgjedhore.

KPM është duke monitoruar përmbajtjet programore (24/7) të OSHMA-ve, për të vlerësuar pajtueshmërinë e tyre me kornizën ligjore, për të kontribuar në forcimin e demokracisë në vendin tonë, në këtë proces zgjedhor që është me rëndësi për të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Komisioni i Pavarur i Mediave