08 November 2021
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në pajtim me nenin 8 të Ligjit Nr. 04/L-44 për KPM-në, me 8 nëntor 2021, organizoi dëgjimin publik me qëllim të vënies edhe një herë në dispozicion të publikut dhe palëve të interesuara draft Rregulloren për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audio-vizuele. Ky draft prezanton amandamentimin e Rregullores së KPM-së të vitit 2017.
Nga ana e përfaqësueseve të KPM-së u prezantua edhe një herë drafti me propozimet e reja për ndryshime, i cili ka qenë në konsultim publik si dhe komentet publike që KPM ka pranuar gjatë periudhës 21 ditore të konsultimit publik. Drafti i kësaj rregulloreje është vënë për konsultim publik, ku ftesa për komente publike ka qenë e hapur prej 27 shtator 2021 deri më 15 tetor 2021. Por me qëllim që të ofrojë mundësi shtesë për të gjitha palët e interesuara të japin komentet e tyre me shkrim për rregulloren në fjalë, KPM ka marrë vendim për shtyrjen e afatit të periudhës së hapur për komente publike deri me 22 tetor 2021 dhe gjatë gjithë kësaj kohe palët e interesit e kanë pasur mundësinë për t’i dërguar komentet e tyre në KPM.
KPM i ka shqyrtuar të gjitha komentet dhe ato që kanë qenë të argumentuara në bazë ligjore, i ka vendosur në këtë draft. Tani KPM ka vendosur që edhe një herë të ftojë palët e interesuara në këtë dëgjim, për të dëgjuar komentet e tyre para se ta finalizojë atë dhe ta miratojë rregulloren.
Në vazhdim të tryezës së diskutimit, pjesëmarrësit patën mundësinë që të paraqesin qëndrimet dhe opinionet e tyre lidhur me draft rregulloren në fjalë si dhe japin komente dhe sugjerime e tyre.
Në fund të takimit KPM njoftoi palët e pranishme që në vazhdimin e punës në Draft Rregullore, KPM do t’i marrë parasysh të gjitha vërejtjet dhe propozimet e komentet e bazuara dhe të argumentuara ligjërisht, që janë paraqitur edhe gjatë dëgjimit publik.
Komisioni i Pavarur i Mediave