03 May 2022
Me rastin e 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Komisioni i Pavarur i Mediave, rikujton rëndësinë që ka respektimi i kësaj vlere themelore të shteteve demokratike, si një kontribut shumë i rëndësishëm në krijimin e një shoqërie stabile, gjithëpërfshirëse, duke garantuar njëkohësisht qasje në informata dhe garantim të lirisë së shprehjes.
Në këtë ditë të rëndësishme të lirisë së shtypit, Komisioni i Pavarur i Mediave inkurajon të gjithë mekanizmat dhe institucionet përgjegjëse që të ofrojnë një qasje konstruktive në funksionalizimin e predispozitave që garantojnë aplikimin e pakufizuar të kësaj lirie themelore, që duhet të jetë e pacenueshme e mbrojtur dhe e garantuar. Pluralizmi medial, liria e shprehjes si dhe mediat e lira janë parakusht themelor për një shoqëri demokratike dhe shtet demokratik, pa të cilat nuk mund të ketë zhvillim shoqëror, politik dhe ekonomik.
Duke rikujtuar se liria e shprehjes në Republikën e Kosovës është e garantuar me Kushtetutë, Komisioni i Pavarur i Mediave konsideron se mediat në Republikën e Kosovës pavarësisht sfidave të ndryshme, vazhdojnë të praktikojnë lirshëm të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre me profesionalizëm dhe të jenë zë i fuqishëm dhe i saktë i së vërtetës, e cila është kusht fundamental njerëzorë për një shtet demokratik. KPM angazhohet fuqishëm për media të lira dhe u bënë thirrje të gjitha institucioneve relevante të krijojnë ambient të përshtatshëm për zhvillimin e medias së lirë dhe pluraliste.
Theksojmë edhe një herë se mision i KPM-së është dhe mbetet avancimi i lirisë së shprehjes dhe pluralizmit medial duke qenë gjithnjë në shërbim të publikut në menyrë të barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për liri të shprehjes dhe të drejtës për informim në gjuhën e secilit qytetar dhe të secilit komunitet që i takon.Prandaj në këtë ditë të shënuar, Komisioni i Pavarur i Mediave inkurajon fuqishëm gazetarët dhe mediat në përgjithësi që të vazhdojnë punën e tyre sipas standardeve profesionale, duke informuar drejtë publikun kosovar.