04 April 2023
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), ka pritur në takim pune Raportuesen Speciale të OKB-së për Promovimin dhe Mbrojtjen e të Drejtës për Lirinë e Mendimit dhe Shprehjes (OHCHR) znj. Irene Khan, të shoqëruar me ekipin e e saj z.Thibaut Guillet dhe z.Laurens Van Der Woude.
Temat e diskutuara në takim ishin rreth kornizës ligjore dhe rregullimit të aspektit medial në Kosovë, gjendjes aktuale në lidhje me lirinë e mendimit dhe të shprehjes, duke përfshirë të drejtën për informim dhe zbatimin e tyre, liria, pluralizmi dhe diversiteti i mediave, liria e shprehjes së grupeve të ndryshme specifike, duke përfshirë pakicat fetare, etnike dhe komunitetet e margjinalizuara.
Sa i përket pikave të sipërpërmendura, përfaqësuesit e KPM-së i njoftuan Raportuesen për procesin e amandamentimit të Ligjit për KPM-në nga ana e Qeverisës në bashkëveprim me KPM-në, me qëllim të harmonizimin me Direktivën e fundit të BE-së për shërbimet mediale audiovizuele (AVMS). Në këtë aspekt ligji i ri do të përfshijë rregullimin e formave të reja të transmetimit, ashtu siç e parasheh Direktiva e re AVMS. Gjithashtu sa i përket ndryshimeve që pritet të bëhën në kornizën ligjore, u diskutua edhe se si do të jetë mënyra e financimit të KPM-së sipas ligjit të ri, pronësia e mediave. Sa i përket gjendjes aktuale u diskutua për çështjen e edukimit medial dhe punës që ka bërë KPM në këtë drejtim, pastaj procesi i monitorimit të mediave dhe procedura e trajtimit të ankesave nga ana e KPM-së si dhe besimi i publikut tek mediat.
Raportuesja Speciale znj. Khan tha se misioni i saj është që të përgatisë një raport me një sërë rekomandimesh për autoritetet publike, me qëllim të mbrojtës dhe promovimit të lirisë së mendimit dhe të shprehjes, në dritën e ligjit dhe standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Gjithashtu Raporti do ti dorëzohet Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së dhe përafërsisht një e treta e mbajtësve të mandatit raportojnë gjithashtu në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.