30 May 2023
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është duke përcjell me vëmendje raportimet e mediave ndaj ngjarjeve në komunat veriore të Republikës së Kosovës dhe shpreh shqetësimin e saj të thellë për sulmet tashmë të evidentuara ndaj gazetarëve, ekipeve te televizioneve dhe pronës se tyre.
Veprime të tilla që më së paku mund të cilësohen si huligane janë totalisht të papranueshme dhe sulm direkt ndaj informacionit dhe fjalës së lirë të mediave si vlera të panegociueshme të shoqërisë sonë.
KPM dënon ashpër dhunën dhe sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, duke vlerësuar lartë guximin dhe angazhimin e secilit gazetar e medium për të ofruar informacione në kohë reale. Njëkohësisht kërkojmë nga institucionet kompetente që sa më parë të vendosin para drejtësisë autorët e këtyre sulmeve, në mënyrë që të ofrohet ambient i sigurt për të ushtruar lirshëm profesionin e gazetarisë në shërbim të publikut.
KPM inkurajon fuqishëm të gjithë gazetarët që të kryejnë misionin e tyre, duke qenë në shërbim të informimit të saktë, korrekt e të paanshëm si elemente shumë të rëndësishme të mirëqenies dhe jetës demokratike në vendin tonë.