14 September 2023
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), ka pritur në një takim pune zyrtarë nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe zyrtarë nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Në fjalën e tij prezantuese Kryetari i KPM-së z. Jeton Mehmeti tha se është i lumtur për bashkëpunimin ndërinstitucional me OSBE-në dhe Zyrën e BE-së si dhe shprehi gatishmërinë e tij që të thellohet ende ky bashkëpunim mes institucionesh. Në vijim të fjalës së tij z.Mehmeti njoftoi rreth punës dhe aktivitetet aktuale më të rëndësishme të KPM-së në përmbushje të obligimeve kushtetuese e ligjore.
Pjesëmarrësit në takim diskutuan për disa tema me interes të përbashkët në fushën e mediave, e me theks të veçantë në punën që po bëhet sa i përket procesit të amandametimit të Ligjit për KPM-në me qëllim të harmonizimit me Direktivën e re AVMS.
Kryetari z.Mehmeti tha se tha se KPM po i trajton me seriozitetin më të lartë vërejtjet dhe rekomandimet e raportit të Komisionit Evropian. Ai njoftoi se KPM është duke punuar në hartimin dhe amandamentimin e tri rregulloreve që janë të parapara edhe në kuadër të Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2023 si obligim për KPM-në si dhe me qëllim të ndjekjes së trendit me zhvillimet e reja në tregun medial. Prandaj në këtë drejtim është mese e mirëpritur mbështetja nga ana e BE-së dhe OSBE-së me ekspertizë të jashtme ose forma tjera të mbështetjes.
Diskutimi ka vijuar lidhur me sfidat aktuale të KPM-së e që kryesore janë vështirësitë financiare si pasojë e shkurtimeve buxhetore dhe nevoja për ngritjen e kapaciteteve teknike e humane si dhe vonesat në emërimin e anëtarëve të Komisionit dhe Bordit për Ankesa në KPM, e që kanë shkaktuar pamundësi të vendimmarrjes për periudha të caktuara.
Nga ana e zyrtarëve të OSBE-së dhe BE-së u theksua se vlerësojnë punën e rregullatorit të mediave dhe shprehën përkushtimin për përkrahje të KPM-së në zbatimin e standardeve më të larta në fushën e rregullimit të shërbimeve mediale audio-vizuele