Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) më 29 dhjetor 2023, në udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z. Jeton Mehmeti, ka mbajtur mbledhjen e trembëdhjetë të rregullt për këtë vit. Sipas agjendës, në këtë mbledhje Komisioni ka trajtuar një pikë të rendit të ditës: Shpalljen e konkursit për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në KPM.
Në fillim të mbledhjes Kryetari z. Mehmeti ka prezantuar një përmbledhje të punës dhe aktiviteteve kryesore të KPM gjatë periudhës një vjeçare, me të dhënat për mbledhjet e Komisionit, vendimet e licencimit, vendimet ligjore, punën në amandamentimin e kornizës së akteve nënligjore ku janë miratuar katër rregullore, mbledhjen e borxheve të tarifës vjetor të licencës, rritjen e transparencës përfshirë transparencën mbi pronësinë e mediave me miratimin e rregullores për këtë çështje dhe hartimin e databazës së re të regjistrit të pronësisë së mediave si dhe trajtimin e një sërë kërkesash për qasje në dokumente publike.
Në vijim të mbledhjes Komisioni ka shqyrtuar pikën e rendit të ditës dhe pas shqyrtimit, duke u bazuar në nenin 3, paragrafi 2, pika 9, dhe nenin 18 të Ligjit Nr.04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave, Komisioni mori vendim për shpalljen e konkursit për pozitën Kryeshef Ekzekutiv të Zyrës Ekzekutive të Komisionit të Pavarur të Mediave.
Kryetari z. Mehmeti tha se procesi do të jetë i hapur, transparent, ashtu siç përcaktohet me Rregulloren Nr. 04/2023, kemi arritur ta sigurojmë edhe mbështetjen e Ambasadës Britanike me ekspertë, në procesin e rekrutimit për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv. Prandaj inkurajohen të gjithë profesionistet që përmbushin kriteret, të aplikojnë në këtë garë.