01 July 2024
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në bashkëpunim me organizatën Terre des Hommes (TDH), organizoi një tryezë diskutimi lidhur me mbrojtjen e fëmijëve në media. Qëllimi kryesor i kësaj tryeze ishte promovimi i normave ligjore për mbrojtjen e fëmijëve në media dhe forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve dhe aktorëve përgjegjës për zbatimin e tyre. Punëtoria synonte të ndërgjegjësojë publikun mbi mekanizmat ankimorë në rast të shkeljes së të drejtave të fëmijëve dhe të informojë prindërit dhe kujdestarët për të drejtat e fëmijëve në informim dhe rreziqet e ekspozimit të pakontrolluar në media.
Në këtë tryezë, morën pjesë përfaqësues nga një sërë institucionesh dhe organizatash të rëndësishme, duke përfshirë Institucionin e Avokatit të Popullit, Agjencinë për Informim dhe Privatësi, Zyrën për Qeverisje të Mirë, Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), Radio Televizionin e Kosovës (RTK), Universitetin e Prishtinës (UP), Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), dhe organizatën Terre des Hommes Kosovo (TDH). Tryeza u moderua nga gazetarja Kaltrina Ajeti.
Në fjalën hyrëse, Kryetari i KPM-së z.Jeton Mehmeti falënderoi të gjithë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave pjesëmarrëse për mbështetjen dhe kontributin e tyre në ketë iniciativë. Ai tha se mbrojta e fëmijëve në media, për KPM-në është objektiv shumë i rëndësishëm që synohet të arrihet përmes zbatimit të tri akteve nënligjore: Rregullores për mbrojtjen e fëmijëve, Rregullores për komunikimet komerciale dhe Kodit të Etikës. Megjithatë, duke pas parasysh zhvillimet e fundit teknologjike, shihet se nevojitet një koordinim dhe bashkëpunim ma i madh i të gjithë akterëve që merren me këtë çështje, prandaj edhe e kemi filluar këtë iniciativë.
Tryeza u zhvillua në katër panele:
1.Mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet mediale;
2.Privatësia dhe mbrojtja e identitetit;
3.Programet edukuese dhe raportimi i përgjegjshëm etik;
4.Roli i shoqërisë civile në mbrojtjen e fëmijëve.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet mediale që mund të jenë të dëmshme ose të papërshtatshme për ta. U theksua nevoja për një raportim të përgjegjshëm dhe etik nga ana e mediave, duke pasur parasysh ndikimin e madh që ato kanë në formësimin e mendimeve dhe sjelljeve të fëmijëve. Pjesëmarrësit diskutuan mbi sfidat dhe përgjegjësitë që kanë mediat në sigurimin e një përmbajtjeje që respekton dhe mbron të drejtat e fëmijëve.
Privatësia dhe mbrojtja e identitetit të fëmijëve në media ishte një tjetër çështje kyçe e trajtuar në tryezë. U theksua rëndësia e mbrojtjes së të dhënave personale dhe identitetit të fëmijëve për të parandaluar çdo formë të abuzimit apo shkeljes së privatësisë së tyre. Institucionet dhe organizatat pjesëmarrëse u zotuan për të forcuar masat dhe mekanizmat që sigurojnë mbrojtjen e këtyre të drejtave.
Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e promovimit të programeve informative dhe edukative për fëmijë. Këto programe jo vetëm që ndihmojnë në zhvillimin e shkathtësive dhe njohurive të tyre, por gjithashtu kontribuojnë në formimin e një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm mediatik për ta. Përpjekjet për të mbrojtur fëmijët në media kërkojnë një angazhim të përbashkët dhe të vazhdueshëm nga të gjitha palët e interesuara.
Roli i shoqërisë civile në mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet mediale u trajtua gjithashtu në mënyrë të veçantë. Organizatat joqeveritare dhe grupet e interesit luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin dhe ndërgjegjësimin e publikut, duke promovuar praktika të mira dhe duke ofruar mbështetje për fëmijët dhe familjet e tyre. U theksua se bashkëpunimi midis këtyre aktorëve dhe institucioneve shtetërore është kyç për të arritur rezultate të qëndrueshme dhe efektive.
Në përfundim të tryezës, përfaqësuesit e KPM-së dhe KOMF-it nënshkruan një Deklaratë të përbashkët që ka për qëllim sigurimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit të suksesshëm për mbrojtjen e fëmijëve në media. Deklarata, e cila pritet të nënshkruhet edhe nga KMSHK, fton mediat që në raportimet e tyre të mbrojnë dinjitetin e fëmijës, të respektojnë të drejtën e fëmijëve për privatësi si dhe t’i kushtojnë rëndësi mënyrës së kategorizimit të programeve me përmbajtje të dëmshme, kohës së transmetimit së tyre si dhe përdorimit të shenjave dhe piktogrameve të përcaktuara.