11 October 2016
KPM ka amandamentuar Kodin e Sjelljes për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës Nr.KKPM-2010/01.
Komisioni i Pavarur i Mediave njofton të gjithë të licencuarit, palët e interesuara dhe publikun se prej datës 11 tetor 2016, hyn në fuqi Kodi i Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës, Nr. KPM-2016/03.
KPM duke u bazuar në nenin 3, paragrafi 2, pika 11 e Ligjit për KPM, ka iniciuar procedurën për amandamentimin e Kodit të Sjelljes për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës Nr.KKPM-2010/01, i cili do të zëvendësohet me Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës, Nr. KPM-2016/03.
Siç parashihet me procedurat për nxjerrjen e legjislacionit sekondar (neni 8 i Ligjit për KPM-në, Ligji Nr. 04/L-44), KPM në pajtim me Ligjin, ka vendosur në diskutim publik për 15 ditë pune draftin e amandamentuar të rregullores, ku të gjitha palët e interesuara kanë pasur mundësinë të japin komentet/vërejtjet e tyre me shkrim lidhur me draft Kodin e Etikës. Konsultimi publik ka filluar më 27 qershor 2016 dhe ka zgjatur deri me 15 korrik 2016. Pas pranimit të komenteve publike, KPM ka shqyrtuar të gjitha komentet dhe ato që kanë qenë të argumentuara me bazë ligjore, i ka inkorporuar në draftin final. Në vazhdim të procedurës së amandamentimit, KPM me 15 korrik 2016 ka mbajtur edhe një dëgjim publik, ku u ka ofruar edhe një herë mundësi të gjitha palëve të interesuara që të japin komentet e tyre para miratimit të Kodit të Etikës.
Kodi i Etikës është miratuar nga Komisioni i Pavarur i Mediave në mbledhjen e mbajtur me datë 4 tetor 2016.
Kodi i Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale hyn në fuqi ditën e nënshkrimit dhe e shfuqizon Kodin e Sjelljes për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës Nr.KKPM-2010/01
KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE