Të licencuarit
2301 - Lajmi_i_plot | KPM

VENDIMET E KPM-SË LIDHUR ME RIPËRTITJEN E LICENCAVE PËR RADIO STACIONE

28 September 2016

Komisioni i Pavarur i Mediave në vitin 2009 dhe 2010 ka lëshuar licencat afatgjate 7 vjeçare për të gjitha shërbimet mediale audio që operojnë në Republikën e Kosovës.

Ligji për KPM Nr. 04/L-44 për KPM, në Nenin 25 ka përcaktuar që licenca mund të ripërtëritet dhe që i licencuari ka të drejtë të kërkojë përtëritjen e licencës nga Zyra Ekzekutive brenda gjashtë (6) muajve para skadimit të datës së licencës ekzistuese dhe minimum gjashtëdhjetë (60) ditë para skadimit të licencës. Poashtu, është përcaktuar që KPM-ja mund të konsiderojë mos ripërtëritetjen e licencës për shkak të shkeljes së dispozitave materiale nga ana e ofruesit të shërbimit medial audiovizuel privat për sa u përket kushteve dhe kritereve të licencimit. 

KPM që nga fillimi i vitit, i ka njoftuar të gjithë të licencuarit të cilëve në vitin 2016 ju skadon afati 7 vjeçar i licencës për kërkesat që duhet të bëjnë brenda afateve ligjore si edhe për sjelljen në pajtueshmëri me Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së në mënyrë që të kualifikohen për ripërtëritje të licencës.

KPM ka pranuar kërkesat për ripërtëritje nga një numër i konsiderueshëm i të licencuarve si shërbime mediale audio. Në mbledhjen e mbajtur me 8 shtator 2016, Komisioni i Pavarur i Mediave ka shqyrtuar ato kërkesa së bashku me rastet e të licencuarve të cilët nuk kanë bërë kërkesë dhe ka vendosur që vendimet për ripërtëritjen e licencave për ofruesit e shërbimeve mediale audio do të bazohen në pajtueshmërinë me Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së sa i përket pagesës së tarifës vjetore të licencës.  

KPM ka marrë vendim që t’u ripërtëritet licenca të gjithë të licencuarve të cilët kanë vepruar   në pajtueshmëri me bazën ligjore për pagesën e tarifës vjetore të licencës dhe që të mos u ripërtëritet licenca të gjithë të licencuarve të cilët kanë dështuar të bëjnë kërkesën për ripërteritje me kohë dhe që kanë dështuar në vazhdimësi të veprojnë në pajtueshmëri me bazën ligjore për pagesën e tarifës vjetore të licencës.

Bazuar në këto dy vendime, KPM ka lëshuar edhe vendimet individuale për të licencuarit të cilëve ju ka skaduar licenca më 28 gusht 2016 dhe vendime individuale do të lëshojë për të gjithë të licencuarit si shërbime mediale audio në fazat e caktuara të skadimit të licencave të tyre.


                                                                                                            KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE