Të licencuarit
2302 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM MIRATON RREGULLLOREN PËR KOMUNIKIMET KOMERCIALE AUDIOVIZUELE

09 September 2016

KPM ka amandamentuar Rregulloren KPM-2013/03 për Komunikimet Komerciale Audio Vizuele.

Kërkesa për amandamentimin e rregullores në fjalë ka ardhur nga ana e industrisë së mediave pas diskutimeve me KPM lidhur me kufizimet e 12 minutëshit të transmetimit të komunikimeve komerciale audiovizuale brenda një ore transmetimi në televizionet komerciale. KPM ka vendosur që ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuale komerciale t’u lejohet fleksibilitet në transferimin e minutave të përmbajtjeve komerciale audiovizuale nga njëra orë në tjetrën përderisa në të njëjtën kohë të jenë në pajtueshmëri me kufizimet e përcaktuara në kuadër të vëllimit të përgjithshëm të programit të transmetuar.

KPM, në pajtim me Ligjin, ka vendosur në diskutim publik për 15 ditë pune draftin e amandamentuar të rregullores, ku të gjitha palët e interesuara kanë pasur mundësinë të japin komentet/vërejtjet  e tyre me shkrim lidhur me ndryshimet në draft rregulloren KPM-2013/03. Konsultimi publik ka filluar më 27 qershor 2016. Pas pranimit të komenteve publike, KPM  ka  shqyrtuar  të gjitha komentet dhe ato që kanë qenë të argumentuara me bazë ligjore, i ka inkorporuar në draftin final të rregullores.  Në vazhdim të procedurës së amandamentimit KPM, me 15 korrik 2016 ka mbajtur edhe një dëgjim publik, ku u ka ofruar edhe një herë mundësi të gjitha palëve të interesuara që të japin komentet e tyre para miratimit të Rregullores së re për  Komunikimet Komerciale Audio Vizuele.

Rregullorja e re Nr. KPM-2016/02 është miratuar nga Komisioni i Pavarur i Mediave në mbledhjen e mbajtur me datë 8 shtator 2016.

Sipas rregullores së re, ofruesit e shërbimeve mediale audiovizuale komerciale u lejohet që nga ora 18:00 deri në ora 24:00, të transmetojnë komunikime komerciale deri në 20% të vëllimit të përgjithshëm të programit të transmetuar gjatë kësaj periudhe kohore.

Rregullorja për Komunikimet Komerciale Audio Vizuele KPM-2016/02, hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit më 9 shtator 2016 dhe e shfuqizon Rregulloren KPM-2013/03.

 

KOMISIONI  I PAVARUR I MEDIAVE