17 October 2013
Me qëllim të zbatimit të Ligjit Nr. 04/L-44, për Komisionin e Pavarur të Medieve përkatësisht nenin 30, paragrafi 5, Zyra Ekzekutive e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), ka marrë një veprim ku ka konfiskuar pajisjet e Operatorëve Kabllor ilegal: “Vala”, “Black Box”, “Planet” në Suharekë dhe “Dioni Net”në Rahovec.
Zyra Ekzekutive e KPM-së ka respektuar të gjitha procedurat ligjore, duke njoftuar të gjithë këta operator kabllorë për veprimtarinë e tyre ilegal dhe se në rast të vazhdimit të transmetimit ilegal do t’u konfiskohen pajisjet. Mirëpo, të njëjtit nuk i janë bindur urdhrave të KPM-së, ku kanë vazhduar me transmetime e tyre ilegale dhe si rezultat i kësaj u janë konfiskuar pajisjet.
Këtë veprim, Zyra Ekzekutive e KPM-së e ka marrë me asistencën e Policisë së Kosovës, me qëllim të ndalimit të transmetimeve ilegale në Republikën e Kosovës.
KPM vazhdimisht është duke monitoruar transmetimet ilegale të operatorëve kabllorë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe veprime të tilla të konfiskimit të pajisjeve do të ndërmerren për të gjithë ata që transmetojnë në mënyrë të kundërligjshme.
KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE