03 March 2013
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), pas finalizimit të punës së Draft-Rregulloreve:
- për Komunikimet Komerciale Audio-vizuele
- për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio-vizuele
- për të Drejtën e Autorit
- për Dhënien e Licencës, dhe
- Kushteve dhe Termeve të Përgjithshme të Licencës së KPM-së
ashtu siç parashihet me procedurat për nxjerrjen e legjislacionit sekondar, respektivisht bazuar në nenin 8 të Ligjit 04/L-44 për KPM-në, ka miratuar në parim draftet rregulloret në fjalë.
Me 22 nëntor 2012, KPM ka dërguar për komente publike këto draft rregullore. Gjatë periudhës së paraparë për komente (22 nëntor-12 dhjetor 2012), KPM ka pranuar komente, të cilat pastaj i ka shqyrtuar dhe përfshirë ato të vlefshmet dhe të bazuara nga ana e të licencuarve të KPM-së.
Gjithashtu lidhur me këto akte nënligjore, KPM me 19 shkurt 2013 ka mbajtur debat publik ku edhe aty ka pranuar komente nga pjesëmarrësit - përfaqësues të shërbimeve mediale audiovizuale. Prej tyre është kërkuar që para miratimit, draftet e rregulloreve në fjalë t’u përcillen me shkrim edhe një herë dhe KPM është zotuar që kjo të bëhet gjatë javës së parë të muajit mars 2013. Në pajtim me konkluzat e takimit publik, KPM u vë në dispozicion të gjithë përfaqësuesve të shërbimeve mediave audio-vizuele, dhe palëve tjera të interesuara, draftet e fundit të rregulloreve të lartcekura. Në rast të komenteve eventuale KPM do t’i pranoj ato deri më 15 mars 2013.
Të gjitha këto akte nënligjore për rregullimin e transmetimit të shërbimeve mediale audio-vizuele janë harmonizuar me Ligjin 04/L-44 për KPM-në dhe me Direktivën për Shërbime Mediale Audio-vizuele (AVMS).