18 March 2021
Një delegacion nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), zhvilloi sot një vizitë zyrtare në zyrën e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), në Tiranë.
Tema kryesore e bisedimeve mes Kryetarit të KPM-së, z. Xhevat Latifi dhe homologut të tij të AMA-s, z. Gentian Sala, si dhe përfaqësuesve të delegacioneve nga dy rregullatorët audiovizivë, ishte eksperienca në monitorimin e punës së mediave gjatë kohës kur ato mbulojnë fushatën zgjedhore.
Në këtë aspekt u diskutua për kornizën ligjore dhe nënligjore që rregullon procesin e zgjedhjeve si në Kosovë ashtu edhe Shqipëri, infrastruktura teknologjike e monitorimit si dhe angazhimet e operatorëve të licencuar.
Duke pas parasysh zgjedhjet e mbajtura në muajin shkurt në Republikën e Kosovës, si dhe zgjedhjet që së shpejti pritet të zhvillohen në Shqipëri, kanë motivuar KPM-në dhe AMA-n për shkëmbimin e përvojave më të mira të monitorimit gjatë procesit zgjedhor, me fokus jo vetëm tek përshtatja e kornizës ligjore, por dhe tek aplikimi i masave efektive për vlerësimin në kohë sa më të shkurtër të përmbajtjeve të transmetuara gjatë fushatës zgjedhore.
Gjithashtu të dyja delegacionet kanë diskutuar edhe për procesin e digjitalizimit të transmetimeve audiovizive, një aspekt që prej kohësh është në agjendën e bashkëpunimit mes KPM-së dhe AMA-s. Një çështje tjetër që u diskutua në takim është edhe dinamika e tregut audioviziv në Kosovë dhe në Shqipëri, me fokus të veçantë nxitjen e shtimit të transmetimeve pa pagesë të kanaleve televizive.
Komisioni i Pavarur i Mediave