Të licencuarit
3355 - Lajmi_i_plot | KPM

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

03 May 2021

Me rastin e 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Komisioni i Pavarur i Mediave, rikujton rëndësinë që ka respektimi i kësaj vlere themelore të shteteve demokratike, si një kontribut shumë i rëndësishëm në krijimin e një shoqërie stabile, gjithëpërfshirëse, duke garantuar njëkohësisht qasje në informata dhe garantim të lirisë së shprehjes.

Tashmë më shumë se një vit, mediat dhe gazetarët në të gjithë botën dhe veçanërisht në Kosovë, po përballen me një situatë mjaft të vështirë në punën e tyre, për shkak të pandemisë Covid – 19.

Prandaj në këtë ditë të shënuar, Komisioni i Pavarur i Mediave inkurajon fuqishëm gazetarët dhe mediat në përgjithësi që të vazhdojnë punën e tyre sipas standardeve profesionale, duke informuar drejtë publikun kosovar.

Në këtë ditë të rëndësishme të lirisë së shtypit, Komisioni i Pavarur i Mediave inkurajon të gjithë mekanizmat dhe institucionet përgjegjëse që të ofrojnë një qasje konstruktive në funksionalizimin e predispozitave që garantojnë aplikimin e pakufizuar të kësaj lirie themelore, që duhet të jetë e pacenueshme e mbrojtur dhe e garantuar. Pluralizmi medial, liria e shprehjes si dhe mediat e lira janë parakusht themelor për një shoqëri demokratike dhe shtet demokratik, pa të cilat nuk mund të ketë zhvillim shoqëror, politik dhe ekonomik.

Duke rikujtuar se liria e shprehjes në Republikën e Kosovës është e garantuar me Kushtetutë, Komisioni i Pavarur i Mediave konsideron se mediat në Republikën e Kosovës pavarësisht sfidave të ndryshme, vazhdojnë të praktikojnë lirshëm të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre me profesionalizëm dhe të jenë zë i fuqishëm dhe i saktë i së vërtetës, e  cila  është kusht fundamental njerëzorë për një shtet demokratik. KPM angazhohet fuqishëm për media të lira dhe u bënë thirrje të gjitha institucioneve relevante të krijojnë ambient të përshtatshëm për zhvillimin e medias së lirë dhe pluraliste.

Theksojmë edhe një herë se mision i KPM-së është dhe mbetet avancimi i lirisë së shprehjes dhe pluralizmit medial duke qenë gjithnjë në shërbim të publikut në menyrë të barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për liri të shprehjes dhe të drejtës për informim në gjuhën e secilit qytetar dhe të secilit komunitet që i takon.

 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE