Të licencuarit
3382 - Lajmi_i_plot | KPM

Njoftim nga mbledhja e Komisionit të Pavarur të Mediave

19 August 2021

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), më 17 gusht 2021, në  udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z.Xhevat LATIFI,  ka mbajtur mbledhjen e dhjetë të rregullt për këtë vit. Fillimisht Komisioni ka miratuar  agjendën e mbledhjes dhe pastaj procesverbalin nga mbledhja e fundit.

Në këtë mbledhje sipas rendit të ditës, KPM ka shqyrtuar rastet ligjore që lidhen  me shkeljet e evidentuara nga monitorimi i Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audiovizuale (OSHMA) gjatë monitorimit të kryer nga KPM nga data 22 deri 28 maj 2021.

Komisioni i Pavarur i Mediave me qëllim të vlerësimit të pajtueshmërisë se mediave me Rregulloren KPM-2013/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audiovizuale, Rregulloren KPM-2017/07 për Komunikimet Komerciale Audiovizuele si dhe Kodin e Etikës KKPM-2016/03 për Ofruesit e Sherbimeve Mediale në Republikën e Kosovës, ka bërë monitorimin e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audiovizuele gjatë datave 22 deri 28 maj 2021.

Sipas gjetjeve të nga procesi i monitorimit,  KPM ka iniciuar disa raste ligjore të cilat kanë të bëjnë me shkelje të legjislacionit të lartpërmendur të KPM-së për këto OSHMA: RTV21, TV Dukagjini, Klan Kosova dhe Kanal10.

Komisioni i ka shqyrtuar të gjitha këto raste të shkeljeve ligjore dhe pas shqyrtimit ka ardh në përfundim se në të gjitha këto raste subjektet janë gjetur në shkelje të legjislacionit.

Pas shqyrtimit të rasteve ligjore të shkeljeve, Komisioni vendosi si në vijim:

Të obligojë OSHMA-të e lartpërmendura që në afat prej dhjetë (10) ditësh të bëjë kategorizimin e filmave dhe serialeve të cilat i transmetojnë, t’i paralajmërojnë ato para fillimit me sinjal verbal dhe akustik dhe t’i identifikojnë me simbolin përkatës vizual gjatë tërë kohëzgjatjes së tyre sipas kategorizimit të programeve të përcaktuara me Rregulloren KPM-2013/01.

Të obligojë OSHMA-të e lartpërmendura që, duke u bazuar në nenin 3 paragrafi 5 të Rregullores KPM-2013/01, të nxjerrin Kodin Praktik në të cilin do të përcaktojnë standardet vetërregulluese për transmetimin e programeve që mund të kenë ndikim të dëmshëm te fëmijët dhe të miturit, dhe këtë Kod të miratuar ta sjellin në KPM brenda tridhjetë (30) ditësh;

Të sanksionojë OSHMA-të e lartpërmendura me masën sanksionuese Vërejte, në pajtim me nenin 30, paragrafi 1 të Ligjit të KPM-së, për shkeljet e evidentuara.

 

Komisioni i Pavarur i Mediave