Të licencuarit
3396 - Lajmi_i_plot | KPM

Komisioni i Pavarur i Mediave mbajti takim përmbyllës me përfaqësues të ofrueseve të shërbimeve mediale audio dhe audiovizuale në regjionin e Prishtinës

17 September 2021

Më 17 shtator 2021 Komisioni i Pavarur i Mediave  ka mbajtur takimin përmbyllës me mediat në regjionin e Prishtinës, në kuadër të javës së takimeve regjionale me të licencuarit e KPM-së.

Takimi filloi me prezantimin e rregullativës ligjore të mediave sa i përket procesit zgjedhor, sepse interes të veçantë për mediat paraqet përcjellja e fushatës zgjedhore për zgjedhjet  lokale 2021. Është prezantuar në pika kryesore pjesa e legjislacionit sipas Kreut VIII të Ligjit për Zgjedhje dhe akteve nënligjore të KPM-së si dhe Rregullores 2013/03 për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve në shërbimet mediale audiovizuele dhe Kodit të Etikës dhe Rregullores për Komunikimet Komerciale Audiovizuele si dhe shkeljeve më të shpeshta nga ana e mediave që KPM ka identifikuar.

Si edhe herëve të kaluara, KPM ka hartuar Udhëzuesin e KPM-së për Zgjedhje i cili u është përcjell mediave së paku një javë para zgjedhjeve e i cili është një përmbledhje në pika kryesore i të gjitha pjesës së legjislacionit të mediave sa i përket procesit zgjedhor.  

Pikat kryesore të diskutimit ishin përafërsisht të njëjta si edhe në takimet tjera regjionale me media, duke pas parasysh se edhe ngecjet apo problemet e të licencuarve janë kryesisht në disa pika të caktuara. Prandaj diskutimi ishte i fokusuar tek përmbajtja e komunikimeve komerciale politike gjatë fushatës zgjedhore, raportimin në mënyrë të drejtë, korrekte, objektive dhe të paanshme,  përfaqësimi në  mënyrë  të  drejtë dhe  të  paanshme i subjekteve politike në emisione, respektimi i heshtjes zgjedhore ku ndalohet transmetimi ose publikimi i çfarëdo  materiali  që  i  takon  aktivitetit  të fushatës (24  orë  para  hapjes  së  vendvotimeve  deri  në  mbylljen zyrtare të vendvotimeve). Gjithashtu edhe në këtë takim u debatua lidhur me kohëzgjatjen e pikës reklamuese  dhe u sqarua se koha e  emetimit  me pagesë dhe pa  pagesë, se mediat nuk janë përgjegjës nëse subjektet politike nuk e shfrytëzojnë kohën e ofruar. Ndërsa tek koha e transmetimit pa pagesë u sqarua se mund  të  sigurohet në formë të pjesëmarrjes në debate, programe diskutimi, intervista jashtë programeve të rregullta informative të parapara, ose si pika reklamuese politike pa pagesë.

Sa i përket publikimit të hulumtimeve të opinionit publik, u sqarua se ndalohet publikimi ose transmetimi i rezultateve të hulumtimit të opinionit publik, duke përshirë daljen në votime (24 orë para mbylljes zyrtare të vendvotimeve dhe deri në përmbylljen e procesit zgjedhor. Kurse si obligim tjetër i mediave në raport me KPM-në është mbajtja e ditarëve për të regjistruar kohën e emetimit dhe  ekspozimeve  tjera  të  mediave,  për  reklamim  me  pagesë  dhe  pa  pagesë,  të  aktiviteteve  të  fushatës për  secilën  subjekt politik dhe dorëzimi i tyre në KPM.

Lidhur me mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve në media, me fokus gjatë fushatës zgjedhore por edhe jashtë saj, u diskutua për sponsorizimin e programeve për fëmijë dhe vendosjen e produkteve në emisione si një shkelje e identifikuar nga KPM, koha e lejuar e transmetimit dhe mënyra e kategorizimit të programeve për të mitur,  sinjalizimi akustik dhe paralajmërimi i programit.

Përveq kësaj duhet t’i kushtohet kujdes i duhur dinjitetit të fëmijëve dhe të miturve të cilët janë pjesë ose janë të përfshirë në programe (pavarësisht nga çdo pajtim që jepet nga prindi, kujdestari ligjor. Të dhënat personale për të miturit si dhe detajet të marrëdhënieve familjare dhe jetës private të tyre, nuk do të transmetohen në rastet kur transmetimi i informacionit të tillë mund të dëmtojë mirëqenien e tyre. Ndërsa në programet e drejtpërdrejta (debate/intervista etj), është obligim i OSHMA-së që të ndërmarrë veprimet e duhura për evitimin e përdorimit të gjuhës vulgare ose ofenduese nga ana e pjesëmarrësve, befasitë apo intervistat e paplanifikuara (“pritat”) të fëmijëve dhe të miturve janë të ndaluara si dhe nuk lejohet përdorimi dhe prezenca e fëmijëve në spotet e ndryshme promovuese të partive politike.

Dhe pika kryesore që u diskutua ishte obligimi që OSHMA-të nuk duhet të transmetojnë intervista apo fotografi të fëmijëve nën moshën 14 vjeç në lidhje me çështje që janë të ndërlidhura me familjet e tyre, pa pëlqimin paraprak të prindit apo një të rrituri që është përgjegjës për fëmijën.  

Komisioni i Pavarur i Mediave