Të licencuarit
3438 - Lajmi_i_plot | KPM

U mbajt takimi i radhës mes KPM dhe AMA

10 December 2021

Komisioni i Pavarur i Mediave - KPM dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive – AMA, zhvilluan një takim pune në Tiranë. Kryetari i KPM-së z.Xhevat Latifi dhe Kryetarja e AMA znj. Armela Krasniqi diskutuan mbi çështje me të cilat përballen dy institucionet që ata drejtojnë. 
Implementimi i Direktivës 2018/1808 është një nga detyrimet që rrjedh nga angazhimet e ndryshme ndërkombëtare të dy vendeve dhe si e tillë ajo kërkon vendimmarrje dhe angazhim tërësor të dy institucioneve. 
AMA dhe KPM shkëmbyen informacion për punën e deritanishme në këtë drejtim duke u fokusuar tek mënyra që secili vend do ta implementojë. Direktiva 2018/1808 trajton një sërë çështjesh, të cilat kërkojnë rregullim në median audiovizive dhe aktualisht është implementuar tërësisht pothuajse nga të gjithë vendet e BE-së. 
z.Latifi  dhe znj.Krasniqi u dakordësuan për zhvillimin e një takimi rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor me qëllim shkëmbimin e eksperiencave në implementimin e Direktivës dhe marrjen e praktikave më të mira nga shtetet të cilat kanë avancuar në këtë drejtim. 
Një peshë të rëndësishme në bisedë pati edhe draftimi i ligjit të ri për  KPM-në në Kosovë, mbi procesin e digjitalizimit, çështje për të cilat u diskutua dhe u shkëmbyen mendimet dhe eksperienca që AMA ka pasur gjatë hartimit të ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” apo mbi procesin e digjitalizimit.

Komisioni i Pavarur i Mediave