Të licencuarit
3525 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM priti në takim gazetarët nga Ukraina të strehuar në Republikën e Kosovës

02 September 2022

Në kuadër të bashkëpunimit në mes të KPM-së me Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), sot në Zyrën e KPM-së është mbajtur një takim me gazetarët nga Ukraina, të strehuar në Republikën e Kosovës. Grupi i gazetarëve u prit nga Kryetari i KPM-së z. Xhevat Latifi, së bashku me zyrtarë tjerë të Zyrës Ekzekutive.

Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi me gazetarët si dhe shprehja e gatishmërisë së KPM-së për të kontribuar në çfarëdo forme të mundshme në përkrahje të këtyre gazetarëve.

Në fjalën prezantuese z. Latifi fillimisht u uroi mirëseardhje gazetarëve dhe potencoi se KPM si institucion është i gatshëm që çdo herë të ofrojë kontributin institucional me të gjitha kapacitetet,  në përkrahje të këtyre gazetarëve.

Në vazhdim të takimit janë prezantuar organizmi, funksionimi dhe roli i KPM-së si rregullator i vetëm dhe i pavarur për mediat audio vizuale në Republikën e Kosovës.

Në pika të shkurta u paraqit puna dhe aktivitetet e KPM-së, në monitorimin e zbatueshëmrisë së legjislacionit nga ana e të licencuarve si dhe veprimet e ndërmarra nga KPM-ja pas fillimit të luftës në Ukrainë, respektivisht vendimit të KPM-së që ka ndaluar transmetimin e kanaleve me origjinë nga Federata e Rusisë, si i pari rregullator në Evropë që e ka nxjerrë këtë vendim.

Gjatë takimit, gazetarët nga Ukraina paraqitën përvojat e tyre personale të rrugëtimit drejt Kosovës, sfidat që kanë hasur në raportim përgjatë kësaj periudhe, si dhe ambientimin e tyre në Kosovë. Nga ana e gazetarëve u shprehen se janë të kënaqur me mikpritjen që iu është bërë dhe po iu ofrohet në Kosovë, ku u janë mundësuar të gjitha kushtet si të jetës ashtu edhe të punës dhe janë duke vazhduar të punojnë për mediat ukrainase por edhe të informojnë qytetarët ukrainas me lajme të sakta lidhur me Kosovën.  

Në fund të takimit nga ana e KPM-së u ritheksua se rregullatori mbetet i përkushtuar në ofrimin e çfarëdo forme të përkrahjes për gazetarët ukrainas dhe mirëpret propozimet e tyre në këtë drejtim.