14 November 2022
Me datat 10-11 nëntor në Tiranë u mbajt Konferenca për Mediat BE - Ballkani Perëndimor, ku në 5 panele diskutim ishin të ftuar mbi 180 pjesëmarrës, gazetarë dhe akterë të ndryshëm nga fusha e mediave nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian. Pjesëmarrës nga KPM në konferencë ishte anëtari i KPM-së z. Besnik Berisha.
Liria e shprehjes dhe liria e mediave konsiderohen elemente esenciale në raport me perspektiven evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor për shkak se këto janë elemente qenësore të politikës së zgjerimit të BE-së. Konferenca ishte një mundësi e mirë e dialogut me komunitetin e mediave dhe akterët tjerë relevant për të diskutuar rreth lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, për të adresuar sfidat me të cilat përballet rajoni si dhe evidentuar mundësitë në arritjen e objektivave për media të pavarura, profesionale dhe të qëndrueshme, të cilat bëjnë raportime kualitative e korrekte. U nënvizua nevoja për kujdesin e duhur sidomos në përballje me elemente të dezinformimit, manipulimit të informacionit, dhe ndërhyrjeve të jashtme, në veçanti në kontekstin e agresionit të Rusisë në Ukrainë. Fokus i veçantë iu kushtua verifikimit të fakteve duke ilustruar qasjet dhe praktikat më të mira.
Gjatë konferencës u diskutua edhe për ndikimin e mediave online si dhe kompanive të njohura si “big tech companies”. Kompanitë e mëdha janë vetë-rregulluar, ndërsa përmes Aktit të Shërbimeve Dixhitale ato do t’i nënshtrohen rregullimit. Në përgjithësi u la të nënkuptohet se zgjerimi i rregullimit do të jetë më efektiv në luftën kundër dezinformimit, manipulimit të informacionit dhe ndikimit të jashtëm.
Poashtu kishte diskutime edhe për pronësinë e mediave në kuptimin e kontrollit dhe koncentrimit të mediave ku roli i rregullatorëve është i pazëvendësueshëm.
Konferencës i parapriu punëtoria për qëndrueshmërinë e mediave ku gjerësisht u diskutua për sfidat financiare me të cilat ballafaqohen mediat sot si dhe programet e asistencës mediale. Konferenca u organizua nga Bashkimi Evropian si shprehje e angazhimit për fuqizimin e lirisë së mediave dhe pavarësisë së tyre në nivel rajonal.
KPM mbetet e përkushtuar në angazhimin e saj për krijimin e një ambienti të favorshëm medial ku kemi pluralizëm medial dhe media profesionale. Brenda kompetencave të saja, KPM do të ushtrojë mandatin e saj për t’u siguruar se kemi raportime të besueshme, të sakta, e që janë të bazuara në fakte, si dhe në përgjithësi media të pavarura e të qëndrueshme.