23 November 2022
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), priti sot në takim pune një grup gazetarësh të rinj dhe studentë të gazetarisë nga Shkolla e Etikës së Gazetarisë, në kuadër të një vizite studimore të organizuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).
Në fillim të takimit, u prezentua një përmbledhje e shkurtë rreth KPM-së si rregullator i mediave. Në vazhdim të takimit janë prezantuar dhe sqaruar në detaje organizmi, funksionimi dhe roli i KPM-së si rregullator i vetëm dhe i pavarur për mediat audio vizuale në Republikën e Kosovës. Në pika të shkurta u paraqit puna dhe aktivitetet e KPM-së, në monitorimin e zbatueshëmrisë së legjislacionit nga ana e të licencuarve, kuadri ligjor, procedurat e punës dhe afatet si dhe ankesat ndaj mediave dhe trajtimi i tyre nga KPM-ja.
Zyrtarët e KPM-së iu përgjigjën pyetjeve të studentëve në pyetjet e parashtruara për çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e të licencuarve duke u ofruar sqarime lidhur me punën e KPM-së në monitorimin dhe rregullimin e Shërbimeve Mediale Audiovizuale. Me theks të veçantë u diskutua për këto tem: respektimin e Kodit të Etikës nga ana e mediave dhe rastet e ankesave, Rregullores për mbrojtjen e fëmijëve dhe Rregullores për komunikimet komerciale, skemat programore, procedurat e licencimit në KPM, bartja e obligueshme e kanaleve, emisionet e drejtpërdrejta dhe mbrojtja e të miturve në media.
Ky takim ishte si vazhdimësi e takimeve tjera dhe bashkëpunimit të KPM-së me KMShK, me qëllim të promovimit të standardeve etike të gazetarisë, rritjes së cilësisë së raportimit në media dhe mbrojtjes së interesit të publikut. KPM mbetet institucion i cili është çdo herë i gatshëm që të ofrojë mundësi për bashkëpunim dhe takime të tilla e posaçërisht me gazetarë të rinj, në lidhje çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e mediave në vend.