Të licencuarit
3569 - Lajmi_i_plot | KPM

Zëvendëskryeshefi Ekzekutiv i KPM-së po merr pjesë në Konferencën rajonale për Media të Evropës Juglindore (SEEMC)

17 May 2023

Zëvendëskryeshefi Ekzekutiv i KPM-së Faruk Rexhaj, po merr pjesë në Konferencën e 9-të rajonale për Media të Evropës Juglindore (SEEMC) me titull "Në një udhëkryq: Ruajtja e lirisë së medias për të mbrojtur demokracinë". Kjo konferencë është duke u mbajt në Shkup më 16-17 maj 2023 me organizim nga Zyra e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Shkup. Ky organizim ka mbledhë gazetarë, përfaqësues të autoriteteve shtetërore përkatëse, media dhe ekspertë ligjorë dhe studiues nga rajoni dhe më gjerë.

Konferenca do të mbajë gjithashtu një masterclass të AI për profesionistët e medias, rregullatorët kombëtarë të medias, praktikuesit e të drejtave të njeriut, si dhe një Ted Talk, që do të mbahet nga Noah Giansiracusa, me titull: "Një vështrim brenda algoritmeve që formojnë mjedisin e lajmeve".

Në Sesionin e 5 me temën “Transparenca e pronësisë së medias si një komponent thelbësor i medias pluraliste”, ku z.Rexhaj ishte folës, paneli ishte në përbërje të këtyre ekspertëve:

Josef Trappel – Moderator,  Profesor i politikës së medias dhe ekonomisë së medias, Universiteti i Salzburgut, ndërsa folës:

Olaf Steenfadt, Themelues dhe Drejtor Menaxhues, Regjistri Global i Mediave;

Faruk Rexhaj, Zv.Kryeshef Ekzekutiv, Komisioni i Pavarur i Mediave;

Roberta Carlini, Asistente Profesore me kohë të pjesshme, Instituti Universitar Evropian;

Besar Likmeta, Kryeredaktor, BIRN Albania.

Në këtë sesion, Zëvendëskryeshefi Ekzekutiv z. Rexhaj në fjalën e tij paraqiti pikëpamjet lidhur me temën e transparencës së pronësisë së mediave, ku çështja e pronësisë së medias tashmë ka tejkaluar nocionet klasike të rregullimit, pikërisht duke u bazuar në zhvillimin e hovshëm teknologjik. Prandaj pronësia e medias duhet të rregullohet duke u bazuar në pikat e mëposhtme dhe ka për qëllim arritjen e këtyre objektivave:

  • vendosjen e standardeve lidhur me pluralizmin dhe diversitetin mediatik;
  • transparencën në pronësinë e mediave, duke përcaktuar rregullat për koncentrimin e pronësisë në media;
  • parandalimin e monopolit në tregun medial, ndalimin e dominimit dhe presionit mbi mediumet;
  • lirinë e shprehjes, ruajtjen e pavarësisë editoriale, të drejtën e informimit objektiv në harmoni me legjislacionin vendor si dhe praktikat më të mira evropiane.